Maqedoni

Lëvizja Anti-bixhoz: jo kazino në Reçicë të Vogël. Arifi: nuk është dhënë leje për kazino në Reçicë të Vogël

03.07.2018 17:53

Lëvizja anti-bixhoz ka përsëritur edhe një herë se kazinoja në Reçicë të Vogël nuk mund të hapet dhe se vullneti i popullatës është mbi interesat e individëve të caktuar...

Lëvizja anti-bixhoz ka përsëritur edhe një herë se kazinoja në Reçicë të Vogël nuk mund të hapet dhe se vullneti i popullatës është mbi interesat e individëve të caktuar, që siç thonë nga kjo lëvizje, u qëndrojnë prapa për këtë veprimtari.
 
“Ne, Lëvizja anti-bixhoz, dhe populli, jemi shumë të vendosur që këtë betejë ta kryejmë deri në fund, pavarësisht provokimeve që bëhen nga ana e tyre dhe popullit që kjo kazino nuk do të hapet ashtu, si i kanë montuar shumë shpejtë do t’i çmontojnë. Ndërsa ata që vazhdojnë punë në Reçicë të Vogël pa asnjë dokument përkatës dhe nuk përfillin kërkesat tona dhe të qytetarëve, ua bëjmë me dije se shumë shpejt do ta kuptojnë fuqinë e cila i mbështet ata dhe këto abuzimet e skajshme do t’i demaskojmë me emër dhe mbiemër”,- tha Xhaml Abdiu nga Lëvizja Anti-bixhoz.
 
Vendi ku duhet të hapet kazinoja nuk ka dokumentacion përkatës për atë veprimtari dhe si i tillë nuk mund të ushtrojë veprimtarinë në atë vend, është shprehur kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
“Dëshiroj të informoj edhe një herë se ai objekt nuk posedon leje për transformim të veprimtarisë, leje të cilën e jep komuna e Tetovës dhe nuk posedon po ashtu edhe leje për legalizim të objektit katin e fundit, ndërkohë që është objekt me leje për podrumin katin përdhes dhe katin e parë. Në kërkesën që kemi bërë tek Ministria e Financave jemi informuar se ky objekt nuk ka leje për të realizuar  aktivitetin për të cilin është paralajmëruar dhe në të njëjtën kohë kemi marrë informacion nga qeveria po ashtu të fundit se u është refuzuar kërkesa për të pasur licencë për atë objekt”,- theksoi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Këto komente Arifi i bëri sot gjatë inspektimit përfundimtar të çerdhes në Xhepçisht të Tetovës, e cila nga shtatori do të fillojë me punë për banorët e asaj pjese, kapacitet i së cilës është të pranojë 50 fëmijë.
 
VISAR SADIKI