Shkodër, Qeveria shqiptare dhe malazeze mbajtën mbledhjen e parë të përbashkët

03.07.2018 18:18

Shqipëria dhe Mali i Zi për herë të parë në Shkodër zhvilluan mbledhje të përbashkët mes dy qeverive....

Shqipëria dhe Mali i Zi për herë të parë në Shkodër zhvilluan mbledhje të përbashkët mes dy qeverive. Kryeministri, Edi Rama, dhe homologu malazez, Dushko Markoviç, folën mbi bilancin e asaj çfarë finalizuan përmes disa marrëveshjeve, siç ishin ato të hapjes së dy pikave të reja kufitare mes dy vendeve, si dhe vënia në funksionim e një tjetër pike.

Nga ana tjetër dy palët premtuan se do të nisë puna për autostradën adriatiko-joniane.

Kryeministri, Dushko Markoviç, e quajti mbledhjen e përbashkët të dy qeverive si historike për të ardhmen dhe perspektivën e dy vendeve. 

“Së bashku me kryeministrin Rama, jemi të prirur që këto marrëveshje mos t’i lëmë thjesht të shkruara në letër. Do t’i avancojmë marrëdhëniet tona dhe rezultatet do t’i vërtetojmë në Podgoricë në takimin e ardhshëm mes nesh. Raportet tona ndërshtetërore i shndërrojmë në aktivitete nën ombrellën euroatlantike. Mali i Zi mbështet Shqipërinë me asistencë për negociatat. Përvoja jonë do të ndahet me ju. Shqipëria duhet t’i kishte çelur negociatat këtë vit, pasi i ka plotësuar kushtet. Duhet të thellojmë bashkëpunimin ekonomik pasi kemi potenciale. Lind nevoja të përmirësojmë infrastrukturën mes dy vendeve”,- tha Dushko Markoviç.

Të dy kryeministrat u përballën me disa pyetje rreth çështjes së emigrantëve që kalojnë transit nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi e më pas në Europë. Kryeministri, Edi Rama, ritheksoi pozicionin e qeverisë së tij se Shqipëria nuk mund të jetë vend gardhesh apo të bëjë rolin e shpëtimtarit.

“Ne kurrë nuk do të pranojmë hapje kampesh që refuzohen në vendet e pasura të BE-së që i konsiderojnë mbetje toksike”,- tha Rama. (Luljeta Ndoka, TVM2)