Merkel shpëton rrëzimin e Qeverisë gjermane
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka arritur të shpëtojë qeverinë e saj....

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka arritur të shpëtojë qeverinë e saj, pasi ka arritur marrëveshjeje mbi emigrantët me aleatin e saj të koalicionit, Horst Zehofer. Kancelarja u pajtua që të përforcojë kontrollet në kufirin me Austrinë me qëllim të parandalimit të personave të cilët tashmë kanë aplikuar për azil në vendet tjera të Bashkimit Evropian që të hyjnë në Gjermani.
Në kuadër të marrëveshjes, do të ndërtohen edhe qendra tranzicioni për t’i strehuar emigrantët deri në sigurimin e kthimit të tyre. Kancelarja Merkel e ka përshkruar marrëveshjen si një kompromis të mirë pas negociatave të vështira.
“Pas diskutimeve intensive midis CDU-së dhe CSU-së, është arritur marrëveshje mbi mënyrën e parandalimit të emigrimit të ardhshëm ilegal në kufirin midis Gjermanisë dhe Austrisë”,- u ka thënë gazetarëve Zehofer.
Por, partnerët e tyre nga Social Demokratët e qendrës së majtë në koalicion u shprehën skeptikë ndaj marrëveshjes. Zëdhënësi i kësaj partie, Aziz Bozkurt, i tha të përditshmes gjermane “Di Uelt” se “ndërtimi i qendrave transitore nuk përfshihet në marrëveshjen e koalicionit”.
SPD-ja e ka refuzuar propozimin për ndërtimin e qendrave të tilla në vitin 2015, kur numri i emigrantëve të cilët hynin në Bavari nga Austria ishte shumë më i madh se aktualisht. Qeveria e Austrisë ndërkaq thotë se kërkon sqarim mbi këtë dhe njofton përgatitjen e masave për mbrojtjen e kufijve jugorë me Italinë dhe Slloveninë.
