Maqedoni
Anulohet gjykimi për rastin “Tamara”, avokatët kërkuan dëshmitë dhe kohë për përgatitje
04.07.2018 11:40
Për herë të dytë u anulua gjykimi për të vërtetuar përgjegjësinë e autoriteteve në rastin e vdekjes së nëntë vjeçare...

Për herë të dytë u anulua gjykimi për të vërtetuar përgjegjësinë e autoriteteve në rastin e vdekjes së nëntë vjeçare, Tamara Dimovska, nga Velesi, e cila vuante nga skolioza dhe ndërroi jetë në vitin 2015 teksa priste vendimin për të dërguar jashtë shtetit për t’u operuar.
Gjykimi u shty për më 17 shtator, pasi disa nga të akuzuarit u njohën sot me aktakuzën dhe gjykatësi, Marin Stanevski, iu la kohë atyre për të përgatitur mbrojtjen. Avokatët e të pandehurve kërkuan edhe listën e provave materiale dhe të dëshmitarëve të prokurorisë, ndërsa këta të fundit u përgjigjen se kopjen e listës duhet ta bëjnë vetë, pasi që fotokopjuesi në gjykatë nuk punon dhe provat janë të shpërndara në rreth 10.000 faqe.
Prokuroria Themelore Publike akuzon gjithsej 12 persona për veprën penale “Punë të papërgjegjshme në shërbim”. Në bankën e të akuzuarve janë ulur ish anëtarët e Komisionit të shkallës së parë dhe të dytë, ish drejtorët e Fondit për Sigurim Shëndetësor, ai i Klinikës së Fëmijëve dhe ish kryetari i Bordit Drejtues i Fondit. Jashtë kësaj aktakuze të prokurorisë mbetet ish ministri i shëndetësisë, Nikolla Todorov. Përveç 17 shtatorit, gjykime janë caktuar më 28 shtator dhe 2 tetor.
REXHEP QAMILI
