Maqedoni

Qyteti i Shkupit ridestinon mjetet, paratë nga “Shkupi 2014” ridestinohen për shkollat

04.07.2018 13:09

Paratë të cilat ishin të dedikuara për fasadimin e ndërtesave në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, do të ridestinohen për rikonstruimin e 11 shkollave të mesme....

Pushimi veror do të shfrytëzohet për rikonstruim të pjesës së brendshme, inventarit dhe fasadave të shkollave “Dimitar Vllahoiv”, “Josip Broz Tito”, “Orce Nikollov”, “Nikolla Karev”, “Zdravko Cvetkovski”, “Pançe Arsovski” në Saraj, “Pançe Karagjozov” dhe “Mihajllo Pupin” në mënyrë që për nxënësit dhe mësimdhënësit të sigurohen kushte bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor.
 
“Në këto shkolla do të realizohet rikonstruimi i tërësishëm i fasadave dhe rikonstruimi i brendshëm, ndërrimi i inventarit sipas nevojave dhe për këtë projekt do shpenzojmë 60 milionë denarë, para të cilat ishin të destinuara për projektin kriminel për fasadimin e qytetit të Shkupit. Por, siç kemi thënë, prioritetet tona kanë të bëjnë me harxhime për nevojat e vërteta të qytetarëve e ato janë sigurimi i kushteve normale në shkolla”,- deklaroi kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Sipas Shilegovit, do të ketë rikonstruim të tërësishëm të dy shkollave të mesme, me ç’rast do të sigurohen kushte bashkëkohore për ndjekjen e arsimit profesional.
 
“Në përfundim është procedura për rikonstruimin e tërësishëm të shkollave të mesme “Cvetan Dimov” dhe “Marija Kiri Skllodovska”, me ç’rast do bëhet rikonstruimi i tërësishëm dhe ndryshimi i pamjes së këtyre shkollave. Po ashtu shkollat dhe toaletet do të përshtaten për nevojat e fëmijëve me aftësi të veçanta në mënyrë që të gjithë qytetarëve t’u sigurohet mundësi e barabartë për arsimimim”,- tha kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Shilegov tha se ka trashëguar borxhe të mëdha nga VMRO-DPMNE, por po punohet për stabilizimin financiar të qytetit të Shkupit dhe nuk përjashtoi mundësinë që të ndërtohen edhe shkolla të reja në vendbanimet ku ka nevojë.
 
FLUTURA LATIFI