Maqedoni
Zaev: Rruga drejt BE-së kalon përmes reformave
04.07.2018 14:48
Maqedonia ka zgjedhur opsionin e promovimit të paqes, stabilitetit dhe sigurisë për qytetarët, deklaroi kryeministri, Zoran Zaev...

Gjithsesi, sipas tij, deri në arritjen e objektivit final, anëtarësimin në strukturat euroatlantike, vendi ende duhet të përmbushë reformat në gjyqësi e administratë dhe të luftojë pa kompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Nuk ka përgjigje tjetër, as për reformat e domosdoshme shtesë për sundimin e së drejtë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reformat në administratën publike. Implementimet efektive të reformave të parapara janë përgjigje e vetme. Nuk ka alternativë tjetër dhe përgjigje të pyetjes: si deri te Evropa?”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Edhe ambasadori i Gjermanisë, Thomas Gerberich, përkujtoi vendin se progresi i shënuar është vetëm fillimi, por duhet akoma më shumë angazhim për pjesën e mbetur.
“Pjesa tjetër e mbetur e rrugës nuk do të jetë e lehtë, ndonjëherë edhe e dhimbshme. Nuk do të ketë automatizëm. KE do të vendosë në qershor 2019 nëse bisedimet për zgjerim në fakt do të merren parasysh, duke pasur në konsideratë përparimin e mëtutjeshëm të reformave”,- tha ambasadori i Gjermanisë në Maqedoni, Thomas Gerberich.
Një Maqedoni europiane kërkon harmonizim të ligjeve me ato europiane, thonë nga organizata joqeveritare “Civil”.
“Paqe dhe mirëqenie për qytetarët, jodiskriminim, barazi gjinore, drejtësi, përgjegjësi, transparencë, të drejtë sociale, respektim të së drejtave politike dhe ekonomike të barabartë për të gjitha, janë disa vlera të Europës që mund të jenë vlera edhe në realitetin e Maqedonisë”,- theksoi kryetari i OJQ –së “Civil”, Xhabir Derralla.
Këto komente u thanë në konferencën “Perspektivat e Maqedonisë. Si deri te Evropa?!”, të organizuar nga OJQ “Civil”.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
