Angjushev: Duhet bashkëpunim rajonal, ndryshe nuk ka zhvillim

04.07.2018 18:00

Bashkëpunim rajonal para bashkëpunimit në kuadër të BE-së....

Bashkëpunim rajonal para bashkëpunimit në kuadër të BE-së. Kështu potencon zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, që po merr pjesë në mbledhjen e  ministrave të ekonomisë, që mbahet në Vjenë, në suaza të Samitit për Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, ekonomitë e vogla të shteteve ballkanike nuk mbijetojnë dot pa bashkëpunim, por për këtë duhet përmirësim i masave administrative dhe infrastrukturës rrugore dhe energjetike, thotë Angjushev.

“Kamionët dhe mallrat presin shumë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ata kohën më të madhe e kalojnë nëpër kufi se sa në lëvizje. Duhen kapërcyer barrierat administrative, duhet të sillet një frymë e re e bashkëpunimit rajonal si dhe të bëhet përmirësimi i infrastrukturës, sidomos infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Me shumë përkushtim po punojmë në pjesën e korridorit 10, ku puna në masë të madhe është përfunduar, ndërsa pjesa në korridorin 8 ka shumë punë. Kemi bashkëpunim serioz edhe në pjesën e energjetikës për krijimin e një burse të përbashkët të energjisë elektrike me Bullgarinë, që do të sjellë beneficione për qytetarët e Maqedonisë. E dimë se çmimi i energjisë elektrike në Bullgari është më i ulët se sa në Maqedoni, nëpërmjet bashkimit të tregjeve ata do ta ndjejnë atë beneficion. Gjithashtu është në ndërtim e sipër largpërçuesi që lidh Maqedoninë dhe Shqipërinë si dhe gazsjellësi, i cili është një prej projekteve të nominuara për zhvillim rajonal mes Maqedonisë dhe Greqisë”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.