Kamenos: Fqinji ynë shtet sllav, a i pyetët shqiptarët?

04.07.2018 19:26

Ministri grek i mbrojtjes, Panos Kamenos, vazhdon përpjekjet e tij për të bllokuar ratifikimin e Marrëveshjes me Shkupin....

Ministri grek i mbrojtjes, Panos Kamenos, vazhdon përpjekjet e tij për të bllokuar ratifikimin e Marrëveshjes me Shkupin në parlamentin grek.

Kamenos vazhdon të këmbëngulë se për ratifikimin e Marrëveshjes në parlamentin grek duhet të sigurohen 180 vota, me referendum apo zgjedhje. Në argumentet e tij sot ai ka futur edhe “shqetësimin” për shqiptarët e Maqedonisë, të cilët, sipas tij, nuk do të lejojnë të cilësohen si qytetarë të një shteti të pastër sllav.

“Që kjo marrëveshje të vijë deri në ratifikim në Parlament, duhet të bëhen shumë hapa. Së pari zgjedhje në Shkup, sepse duhet të ndërrohet presidenti, të zgjidhet president i ri, pastaj të mbahet referendum, pas referendumit të ketë shumicë në kuvend, e cila do t’i votojë ndryshimet kushtetuese, të bëhen ndryshime kushtetuese. Kjo, sipas meje, do të zgjasë më shumë se dy vite. Unë nuk besoj se shqiptarët do të pranojnë të jenë qytetarë të një shteti të pastër sllav”,- ka deklaruar Kamenos në intervistën për mediat greke.