Maqedoni

Tentim-vrasja ndaj kreut të ASh-së, 82 vite burg për 7 sulmuesit e Ziadin Selës. Mbrojtja e Selës: presim vendim edhe për sulmuesit e tjerë

05.07.2018 13:02

Gjykata dha gjithsej 81.5 vite burg për shtatë të akuzuarit për tentim vrasjen e kreut të ASh-së, Ziadin Sela...

Gjykata dha gjithsej 81.5 vite burg për shtatë të akuzuarit për tentim vrasjen e kreut të ASh-së, Ziadin Sela. 
 
Nikolla Vojminovski u dënua me 13 vjet e gjysmë burg, Aleksandar Janeveski - Toshta dhe Kire Georgievski me 13 vjet burg, Oliver Oshavkovski, Nikollçe Dimitrievski, Andrej Micov dhe Kosta Dellov u dënuan me nga 10 vjet e gjysmë burg. 
 
Gjykatësja, Sllavica Andreevska, i shpalli ata fajtorë për tentim-vrasjen e Ziadin Selës dhe sqaroi se ata bashkërisht, me qellim dhe vetëdije të plotë, barbarisht e kanë rrahur, shkelur dhe maltretuar Selen deri gati në vdekje, gjatë dhunës së 27 prillit në Kuvend, vitin e kaluar.  
 
“Në kohën kritike të gjithë të akuzuarit kanë qenë në pres qendrën e Kuvendit ku ndodhej grupi i deputetëve, në mesin e të cilëve ishte edhe tashmë i dëmtuari, deputeti Ziadin Sela. U vërtetua se të gjithë të akuzuarit kanë ndërmarrë një sërë veprimesh inkriminuese ndaj Selës, fizikisht e kanë sulmuar atë në kokë dhe për një moment i kanë shkaktuar gjendje të  pavetëdijes, duke mos treguar madje as shenja jete. Këto veprime  përmbushin të gjitha elementet e veprës  penale “tentim-vrasje”, për të cilën ata sot janë gjykuar”,- tha gjykatësja, Sllavica Andreevska.
 
Avokati i Selës, Adil Adili, është në pritje të një aktakuze të re nga ana e Prokurorisë Publike për sulmuesit e tjerët që u identifikuan gjatë prezantimit të video-materialeve në fund të këtij procesi gjyqësor. 
 
“Nuk mund të japin një përgjigje se jemi ose jo të kënaqur nga vendimi gjyqësor, atë do ta bëjmë pasi ta pranojmë aktgjykimin. Sa i përket zgjerimit të aktakuzës për personat e tjerë të cilët në incizimin e fundit shihen qartë se si kryejnë sulm ndaj të dëmtuarit, procedura është në hetime dhe presim nga shtatori një procedurë të re për sulmuesit e tjerë”,- theksoi avokati i Ziadin Selës, Adil Adili.
 
Më herët, për dhunën ndaj Selës me tre vite burg u dënua edhe Stojan Pavlleski dhe me një vit e dy muaj burg Cejo Georgievski. 
 
Pala mbrojtëse paralajmëron se do ta ankimojë vendimin, deri atëherë Aleksander Janveski - Toshta dhe Nikolla Vojminovski, për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore, mbeten në arrest shtëpiak, ndërsa pesë të akuzuarit e tjerë kthehen në paraburgim.
 
REXHEP QAMILI