Maqedoni
69 vota “pro” për marrëveshjen me Greqinë, Dimitrov: Ivanov “mbron” kushtetutën duke e shkelur; Muhiç: presedan në të drejtën ndërkombëtare
05.07.2018 13:16
Kuvendi votoi për të dytën herë Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit...

Në mungesë të opozitës, 69 deputetët e shumicës votuan për marrëveshjen, ndërkaq vetëm deputeti, Ferid Muhiç, u shpreh i përmbajtur.
Ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov, tha se qeveria e Zaevit nuk do të nënshkruante kurrë një marrëveshje që do të rrezikonte identitetin e popullit maqedonas dhe gjuhën.
Dimitrov i rikujtoi presidentit, Gjorge Ivanov, se Kushtetuta nuk “mbrohet” duke e shkelur dhe i kërkoi kreu të shtetit të respektojë obligimet kushtetuese.
“Ju siguroj se unë dhe të gjithë anëtarët e qeverisë, si dhe kryeministri Zaev, nuk pranojmë rrezikim të identitetit dhe kombit. Marrëveshja finale jo vetëm që nuk rrezikon identitetin, kombin dhe gjuhën, por e riafirmon si asnjëherë deri më tani identitetin maqedonas. Sikurse identiteti që nuk mund të mbrohet duke e komprometuar me procesin e antikuizimit, ashtu edhe Kushtetuta nuk mund të mbrohet duke e shkelur njëkohësisht. Kushtetuta në mënyrë të prerë thotë se presidenti detyrat dhe obligimet i kryen në përputhje me Kushtetutën, andaj presidenti obligohet që të nënshkruajë marrëveshjen pasi që Kuvendi ta votojë në lexim të tretë”,- tha ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Dimitrov përgënjeshtroi akuzat se vetëm presidenti mund të lidh marrëveshje ndërkombëtare.
Sipas tij, nga 897 marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend, vetëm pesë janë dakorduar nga presidentët, Gligorov dhe Trajkovski. Deputeti Muhiç tha se ndërrimi i emrit paraqet presedan në të drejtën ndërkombëtare, pasi dinjiteti kombëtar nuk mund të bëhet objekt kompromisi.
“Kushti për ndërrimin e emrit është në kundërshtim me Marrëveshjen e Kombeve të Bashkuar dhe të drejtën ndërkombëtare. Ky është një presedan absolut, pasi që asnjëherë një marrëveshje ndërkombëtare nuk ka përmbajtur kërkesë për ndryshimin e emrit të një shteti sovran. Me këtë marrëveshje, një populli të tërë dhe shteti sovran i shkurtohet e drejta për vetëpërcaktim. Me këtë marrëveshje i bie që kemi vjedhur diçka të huajën dhe tani ia kthejmë pronarit të vërtetë”,- u shpreh deputeti, Ferid Muhiç.
Marrëveshja me Greqinë u ratifikua për herë të dytë në Kuvend, pasi presidenti, Gjorge Ivanov, refuzoi ta nënshkruajë të njëjtën.
MERAL ISMAILI
