Maqedoni

Aleanca për Shqiptarët: jo leje për punë “Jugohromit” pa i vendosur filtrat

05.07.2018 13:29

Aleanca për Shqiptarët kërkon që Qeveria të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha subjektet ekonomike...

Aleanca për Shqiptarët kërkon që Qeveria të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha subjektet ekonomike, duke mos lejuar anashkalimin e rregullave ligjore të cilat e dëmtojnë direkt jetën e qytetarit për interesin e biznesit.

“Jugohrom” prodhon ferosilicum. Ashtu edhe siç tha zëvendëskryeministri Angjushev nga foltorja e Parlamentit, çmimi i ferosiliciumit në bursën botërore është 1,500 dollarë për 1 ton, më i larti në 10 vite sipas ekspertëve.

“Prandaj po bëhet gjithë ky presion që të fillohet me punë që të kapet tregu deri sa çmimi i shitjes është kaq i lartë”, potencojnë nga ASh.

Sipas tyre, Fabrika “Jugohrom”, në asnjë mënyrë nuk mund të fillojë me punë pa plotësimin e standardeve dhe vendosjen e filtrave  për mbrojtje nga ndotja e ajrit.

Aleanca për Shqiptarët përkujton se “një nga kushtet për çeljen e negociatave është edhe lufta me krimin e organizuar dhe korrupsionin, por edhe më tej në Maqedoni vazhdojnë koordinimet e biznesit me qarqe të larta qeveritare”.

Nga ASh madje thonë se tani ka edhe diskriminim etnik, pasi në Manastir Ministria e Brendshme ngriti kallëzimin penal për ELEM-in dhe ish-drejtorët, të cilët me veprimet e tyre rrezikuan  shëndetin dhe ambientin e qytetarëve.

E njëjta përgjegjësi duhet të kërkohet edhe për rrezikimin e jetës së qytetarëve edhe në Tetovë dhe rajonin e Pollogut.


Këtu kemi korrupsion dhe krim të organizuar dhe kjo ka kosto në shëndetin e qytetarëve, akuzon ASh.