Centrali i parë fotovoltaik në Shkup, Zaev: Energjia diellore ul shpenzimet, mbron ambientin
Për herë të parë në lagjen Taftalixhe të Shkupit është lëshuar në përdorim një central fotovoltaik....

Për herë të parë në lagjen Taftalixhe të Shkupit është lëshuar në përdorim një central fotovoltaik që përdor energjinë diellore për prodhimin e energjisë elektrike, njofton “TVM2”. Pronari i centralit shpreson që kjo do t’i mundësojë ulje të shpenzimeve personale, por edhe shitje të energjisë së tepër elektrike.
Për kryeministrin Zaev, ky central është dëshmi se Ligji i ri për Energjinë tashmë po jep rezultatet e para dhe ai fton edhe kompanitë dhe qytetarët e tjerë të mendojnë në këtë drejtim.
“Secila kompani të ketë mundësi të instalojë centrale fotovolatike dhe për nevojat e veta të prodhojë energji elektrike. Energjinë elektrike të tepërt mund ta shesin në tregun e lirë, të reduktojnë importet dhe të rrisin prodhimin, të ulin kostot e qytetarëve dhe kompanive dhe të ekonomisë për t'u bërë më konkurruese”,- tha kryeministri i R. Maqedonisë, Zoran Zaev.
EVN përshëndet përpjekjet e Qeverisë për përdorim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
“EVN ka më shumë kapacitete dhe njohuri për t’i dhënë të gjitha trendet në sektorin e energjisë. Ne kemi ekspertë të lartë që mund të ofrojnë zgjidhje individuale për të gjithë individët e interesuar dhe personat juridikë”,- tha Sasho Stojkovski nga Bordi drejtues i EVN-së.
Qeveria premton gjetjen e mënyrave për të nxitur qytetarët që sa më shumë të instalojnë sisteme të tilla. (Sedat Selimi, TVM2)
