Marrëveshja për emrin, Zaev: Ivanov të nënshkruajë dekretin

05.07.2018 17:57

Kryeministri, Zoran Zaev, fton presidentin e Republikës që të nënshkruajë dekretin e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë...

Kryeministri, Zoran Zaev, fton presidentin e Republikës që të nënshkruajë dekretin e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë. Ai rikujtoi Ivanovin se, pavarësisht bindjeve të tij kundër Marrëveshjes, pas miratimit të sërishëm në Kuvend, Kushtetuta e obligon presidentin që ta dekretojë atë.

“Apeloj, presidenti Ivanov të nënshkruajë Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë. Referendumi i suksesshëm vetëm do ta konfirmojë këtë. Të ecin proceset më tej. Të dëshmojmë se respektojmë Kushtetutën dhe ligjet në Maqedoni, se jemi për anëtarësim në NATO dhe BE, sepse qytetarët e presin këtë dhe kjo është e pakta që mund të bëjmë për ta. Qëndrimet janë legjitime dhe çdo kush ka këtë të drejtë. Por, ligji dhe Kushtetuta na obligojnë të veprojmë sipas tyre, sipas akteve pozitive të RM-së”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

ZAEV: MARRËVESHJA ËSHTË KORREKTE, VENDOSIN QYTETARËT

Fjalën e fundit për Marrëveshjen do ta kenë qytetarët në referendum. Sipas Zaevit, ky është shans historik që u jepet qytetarëve që vetë të vendosin për të ardhmen e vendit. Rezultati i referendumit do të ketë efekt juridik të detyrueshëm për aktorët politikë dhe institucionet.

“Pas 27 viteve, qytetarët tanë fitojnë të drejtën që të vendosin. Kjo është punë e madhe. Të vendosin se në cilën kahje duan ta lëvizin Maqedoninë, çfarë të ardhme duan për Maqedoninë, për ne, për fëmijët e tyre. Askush nuk i mban votat në xhep, as politikanët as liderët fetarë, askush. Qytetarët janë shumë të vetëdijshëm. Unë besoj deri në qiell në popullin tonë shumetnik, pasi e dimë se nuk kemi alternativë tjetër përveç integrimit në NATO dhe BE, dhe konfirmoj se kemi Marrëveshje korrekte dhe të drejtë. Përfundimisht ia dalin aspiratat tona shekullore të paraardhësve tanë dhe në fund kemi mik të ri, të cilin e shohim se si na mbështet”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Marrëveshja me Greqinë zgjidh kontestin dypalësh rreth emrit, shfuqizon Marrëveshjen e përkohshme të vitit 1995 dhe vendos partneritetit strategjik me Greqinë. Ligji për ratifikimin e kësaj marrëveshje u miratua sërish në lexim të tretë, pasi presidenti Ivanov refuzoi ta dekretojë atë. Në këtë fazë, kushtetuta e detyron presidentin që ta dekretojë atë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)