VMRO-DPMNE: Procedurë joligjore, Ivanov të mos e nënshkruajë

05.07.2018 18:23

Ratifikimi i sërishëm i marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë u zhvillua në bazë të procedurave joligjore....

Ratifikimi i sërishëm i marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë u zhvillua  në bazë të procedurave joligjore, akuzojnë nga VMRO–DPMNE. Ata thonë se nuk kanë ndërmend të jenë pjesë e kapitullimit të shtetit dhe se në mënyrë ligjore i kundërvihen secilit vendim antikushtetues. Kërkojnë nga presidenti Ivanov mos  ta nënshkruajë  marrëveshjen, ndërkaq çdo marrëveshje eventuale pa firmën e presidentit Ivanov e llogarisin vepër penale për të cilën, sipas tyre, do të mbajnë përgjegjësi.

“VMRO–DPMNE nuk do të jetë bashkëpunëtor dhe kundërshtojmë aktin që parasheh ndryshimin e Kushtetutës me kusht ndryshimin e emrit, akt që përcakton fshirjen e emrit të Maqedonisë, ndeshet me thelbin e identitetit dhe bën shkatërrimin afatgjatë të përcaktimeve shtetformuese të vendit dhe identitetin e popullatës maqedonase. Presim ky akt kundërkushtetues të mos nënshkruhet nga presidenti i shtetit, sepse detyra e tij primare është mbrojta e interesave shtetërore dhe mbrojtja e kushtetutës”,- tha sekretari gjeneral i VMRO –DPMNE – së, Igor Janushev.

LSDM: MOSNËNSHTRIMI I PRESIDENTIT, VEPËR PENALE

LSDM thotë se pikërisht mosnënshkrimi i marrëveshjes nga presidenti përbën vepër penale. Ata i bëjnë thirrje presidentit t’u përmbahet obligimeve kushtetuese e të mos përzihet në kompetencat e legjislativit, e aq më tepër të mos pengojë të ardhmen e Maqedonisë.

“Gjorge Ivanov, është i obliguar, përsëris, është i obliguar ta nënshkruaj ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë. Askush nuk është mbi ligjin dhe kushtetutën. Askush nuk ka të drejtë ta ndërpresë ardhmërinë e Maqedonisë. Në të kundërtën Ivanov do të bëjë vepër penale, vepër kundër kompetencave të tij dhe drejtpërdrejtë përzihet në pushtetin ligjvënës”,- theksoi Kostadin Kostadinov nga LSDM.

Sipas LSDM-së, marrëveshja siguron dhe përforcon identitetin maqedonas, bën integrimin në BE dhe në NATO, me një fjalë siguron ardhmërinë e Maqedonisë, duke e bërë përfundimisht pjesë të shteteve demokratike të Evropës dhe botës, që garantojnë progres, stabilitet dhe siguri. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)