Qyteti i Shkupit promovon stacionet për riparimin e biçikletave
Qyteti i Shkupit promovoi pesë stacione për riparimin e biçikletave....

Qyteti i Shkupit promovoi pesë stacione për riparimin e biçikletave që do t’iu mundësojnë çiklistëve të kryejnë intervenime të vogla në biçikletat e tyre në rast se kanë nevojë. Qëllimi i këtij projekti, siç njoftuan nga Qyteti i Shkupit, është të inkurajojnë qytetarët që t’i shfrytëzojnë biçikletat si transport alternativ i trafikut motorik në zonat urbane me popullsi të dendur, pasi që kjo do t'u kursejë të holla atyre dhe po ashtu do të kontribuojë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit.
“Zvogëlimi i bllokimit të trafikut e me këtë edhe zvogëlimi i ndotjes së ajrit janë sfidat me të cilat ballafaqohen të gjitha qytetet e mëdha të botës. Për këto arsye, Qyteti i Shkupit i kushton vëmendje të madhe aktiviteteve që kontribuojnë në arritjen e mobilitetit të qëndrueshëm urban në trafik. Në këtë drejtim dua të falënderoj për mbështetjen SHA Stopanska Banka – Shkup, e cila me donacionin e 5 stacioneve për riparimin e biçikletave përmes projektit "Vozit drejt, vozit shëndetshëm", kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e kulturës së çiklizmit në qytet”,- deklaroi zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Salihu.
Nga Qyteti i Shkupit njoftuan se lokacionet të cilat do të bëjnë kontrollin e biçikletave janë përzgjedhur me kujdes me qëllim që të jenë në vendet ku ka frekuencë më të lartë dhe gjithashtu është bërë kujdes që ato të vendosen në pozicione ku veç më ekziston 24 orë video mbikëqyrje, me qëllim që të mbrohen nga dëmtimet e shkaktuara qëllimisht. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
