ITKSh me iniciativë të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, Akademi përkujtimore kushtuar Abdyrraman Alitit

05.07.2018 18:48

Instituti për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve...

Instituti për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, nën përkujdesjen dhe me iniciativën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit, organizuan akademi përkujtimore për 5 vjetorin e ndarjes nga jeta të kryetarit të PPD-së, deputetit, ambasadorit dhe ish nënkryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Abdyrraman Aliti.

Aliti dallohej për qetësinë e fjalës dhe të veprimit dhe konsiderohet si njëri nga politikanët më të matur dhe më të suksesshëm në vend, me vizion të palëkundur që Maqedonia e ka vendin në NATO dhe në BE, vlerësoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, me Alitin nuk kanë qenë oponentë, por miq dhe bashkëpunëtorë në të gjitha fushat e veprimit.

“Nga 2001-shi e këtej kjo pjesë e veprimtarisë politike ka një pjesë të kontributit dhe orientimit të Abdyrraman Alitit dhe të orientimit të mendimeve deri në ditët e sotme. Ju siguroj ju si familje dhe të gjithë bashkëveprimtarëve që ne do vazhdojmë me krenari dhe fanatizëm më tutje të veprojmë drejt realizimit të aspiratave, ideve, sepse ka qenë një pjesë progresive, një lëvizje në dobi të shqiptarëve, të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, andaj edhe i qoftë lavdi, ne e njohëm si njeri të afërt”,- tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Gjylymsere Aliti, rikujtoi se ai e donte familjen dhe kombin e tij dhe është e kënaqur që aspiratat e tij për integrimin e vendit në NATO dhe BE po bëhen realitet.

“Jam e lumtur që shoh këto vlera për të cilat punoi Duro, të mishëruara tek ju dhe që po realizohet ajo për të cilën angazhohej dhe punoi Duro, dhe ajo është integrimi në NATO në BE, dhe barazi të shqiptarëve në Maqedoni. Kjp është riga e vetme dhe z. Ali ju uroj t’u prijë e mbara në realizimin përfundimtar të këtij përcaktimi tonë kombëtar”,- u shpreh bashkëshortja e Abdyrraman Alitit, Gjylymsere Aliti.

Pesë vjetori i ndarjes nga jeta ish kryetarit të PPD-së, Abdyrraman Alitit, u miratua në Kuvendin e Maqedonisë si një nga datat e veçanta  që do shënohen gjatë këtij viti. (Flutura Latifi, TVM2)