Seanca për vrasjen në Reçicë të Vogël, katër të akuzuarit e pranuan akuzën

05.07.2018 18:52

Në Gjykatën Themelore të Tetovës sot është mbajtur seanca kryesore e 13 të akuzuarve....

Në Gjykatën Themelore të Tetovës sot është mbajtur seanca kryesore e 13 të akuzuarve për vrasjen në Reçicë të Vogël.

Katër të akuzuarit, Ridvan Dervishi, Sabit Rexhepi, Halil Kamberi dhe Bulzim Biti nga Shqipëria kanë pranuar akuzën për incidentin në Reçicë të Vogël, që ka ndodhur më 5 prill të këtij viti, ku edhe mbeti i vrarë një person.

Këta katër persona akuzohen për pjesëmarrje në rrahje. Të tjerët akuzohen për vrasje, vrasje në tentim dhe pjesëmarrje në rrahje. Avokati mbrojtës,  Sejfulla Osmani, kërkoi masa lehtësuese dhe dënim minimal, respektivisht dënim me kusht.

“Edhe pse vetë vepra dhe lënda brenda  nuk ka të dhëna konkrete për sa i përket asaj që ne mund të detektojmë si vepër penale e pjesëmarrjes në rrahje, vetë fakti që ata kanë qenë prezencë në kohë të gabuar, kanë ndodhur në vend të gabuar, e vlerësuam për Ridvan Dervishin për Sabit Rexhepin, të cilët edhe vetë janë lënduar në ngjarje, po ashtu edhe për Halil Kamberin dhe Bulzim Biti, të mbyllim procesin me një marrëveshje për pranim të fajit”,- deklaroi avokati mbrojtës, Sejfulla Osmani.

Për të akuzuarit tjerë të familjes Misimi, avokati mbrojtës, Elenko Millanov, është shprehur se ata rastësisht atë ditë kanë ndodhur në Tetovë.

“Sot filloi seanca me dhënien e fjalimeve hyrëse, me ç’rast një pjesë e palës tjetër bënë pranimin e fajit, ku pranuan atë që është faji i tyre ndërsa nga ana e familjes Misini nuk ka pranim faji, sepse ata janë viktima të këtij rasti. Vlerësoj se pranimi i fajit nga ana e tyre është ikje nga ajo që janë nxitës të ngjarjes, që me këtë kualifikim që është më i lehtë, të kalojnë më lehtë”,- tha avokati i familjes Misimi, Elenko Millanov.

Ndërkohë, seanca për të akuzuarit tjerë për rrahje, Bekim Rexhepi, Driton Ferati, Florim Misimi, Bashkim Misimi, Irfan Misimi do të mbahet më 11 korrik me fillim në orën 10.00. Këta gjatë seancës kanë thënë se nuk ndjehen fajtorë për veprën për të cilën akuzohen. Ata thanë se nuk kanë gjuajtur dhe nuk kanë shtënë me armë asnjëherë në jetën e tyre. (Visar Sadiki, TVM2)