Maqedoni

“Titanik 2”, lëshohen bisedat e përgjuara dhe seanca e KShZ-së

06.07.2018 15:50

Dy bisedat e përgjuara, të njohura tashmë për opinionin publik, u lëshuan sërish në gjykatë gjatë seancës së radhës për rastin “Titanik 2”, të hapur nga PSP...

Dy bisedat e përgjuara, të njohura tashmë për opinionin publik, u lëshuan sërish në gjykatë gjatë seancës së radhës për rastin “Titanik 2”, të hapur nga PSP, që ka të bëjë me manipulimet e pretenduara në zgjedhjet lokale të vitit 2013.
 
Në bisedën e parë dëgjohet se si ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, i kërkon liderit të PDSh-së, Menduh Thaçit,  intervenim gjatë votimit në KShZ për Strumicën.
 
Më pas u dëgjua edhe biseda mes kreut të PDSh-së dhe ish anëtarit të kësaj partie në KShZ, Bedredin Ibrahimi, të cilit i tregohet se si duhet të votojë dhe se në këmbim të votës për Strumicën do të dëshmohet manipulimi, që sipas Thaçit, ka bërë BDI në komunën e Çairit.
 
Biseda e dytë është bërë në shqip dhe në gjykatë përmbajtja e saj u lexua edhe në maqedonisht dhe kjo shkaktoi reagimin e kreut të PDSh-së, i cili u ankua se përkthimi nuk është në rregull.
 
Më pas si dëshmi u lëshuar edhe materiali i xhiruar nga seanca e KShZ-së, në të cilën votohet me shumicë dhe miratohet ankesa e parashtruar nga VMRO-DPMNE, për rivotim në komunën e  Strumicës. Por, ish anëtari i KShZ-së, Bedredin Ibrahimi, mohon të ketë votuar sipas urdhrit të Mijallkovit.
 
“Unë kam qenë ushtar në ish Jugosllavi dhe prej atje kam një dokument se shumë vështirë pranoj urdhra. Në 63 vitet e mia, nuk mundet Sasho Mijallkov të më urdhërojë se si të votoj. Unë do dëshmoj se nuk është kështu”,- deklaroi Ibrahimi në gjykatë. 
 
Kreu i PDSh-së kërkoi përkthim të tërësishëm të seancës së KShZ- së në gjuhën shqipe. Pas përfundimit të seancës, askush nuk deshi të prononcohet për mediat.
 
Përveç Mijallkovit, Thaçit dhe Ibrahimit, në këtë rast të dyshuar janë edhe anëtarët e mëhershëm të KShZ–së, Aneta Stefanovska,Vllatko Sajkovski dhe Sasho Srçev. 
 
Gjykimi për rastin “Titanik 2” do vazhdojë më 23 gusht.
 
FLUTURA LATIFI