Zaev për ERT-në: Referendumi në 23 - 30 shtator, ose në 7 tetor
Referendumi për emrin do të mbahet më 23 shtator, 30 shtator ose 7 tetor.....

Referendumi për emrin do të mbahet më 23 shtator, 30 shtator ose 7 tetor, thotë kryeministri Zaev, në intervistën për televizionin shtetëror grek ERT. Këto janë datat që do të mundësonin përfundimin e të gjitha obligimeve të planifikuara deri më 15 janar.
Sipas kryeministrit, referendumi do të ketë karakter të detyrueshëm dhe si i tillë do të duhet të pranohet nga të gjithë, madje edhe nga presidenti Ivanov, që vazhdon ta refuzojë marrëveshjen e arritur. Referendumi në këto data lë një periudhë prej 3 muajsh për ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, populli do t’i përgjigjet pozitivisht pyetjes së referendumit, e cila me siguri do të jetë "A jeni për Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe për përkrahje të Marrëveshjes me Greqinë", ose “A jeni për Bashkimin Evropian dhe NATO-n duke e përkrahur emrin Republika e Maqedonisë së Veriut". Zaev thotë se përgjigja e qytetarëve në referendum do të detyrojë të gjithë politikanët dhe pushtetin, opozitën dhe presidentin Ivanov, që të pranojnë vendimin e popullit.
“Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet tona na nevojiten njëqind ditë. Prandaj është caktuar 15 janari. Me referendumin e suksesshëm unë jam i bindur se të gjithë parlamentarët do të dëgjojnë zërin e popullit dhe kështu edhe do të votojnë. Këtë e morëm si mesazh edhe nga presidenti, Gjorge Ivanov, i cili tha se nëse referendumi është i suksesshëm, sigurisht që ai do të mbështesë edhe marrëveshjen me Greqinë dhe gjithçka që vjen si faza e ardhshme. E njëjta gjë është edhe me opozitën”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
NEGOCIATAT NË QERSHOR 2019, ZAEV: KEMI KOHË TË BËHEMI GATI PËR SKRININGUN
Pas ratifikimit të Marrëveshjes edhe në Greqi, do të hyjë në fuqi emri i ri Republika e Maqedonisë Veriore dhe me hapjen e kapitujve në negociatat me BE-në, emri i ri do të fillojë të përdoret në Maqedoni deri në anëtarësimin e plotë në BE, i cili sipas kryeministrit nuk do të jetë më vonë se 2025 dhe pas kësaj emri i ri do të përdoret kudo. Në raport të perspektivës evropiane të Maqedonisë, thotë se është i kënaqur nga data për fillim të negociatave inkuadruese, në qershor 2019.
"Kemi mjaft kohë të përgatitemi me skriningun i cili është para fazës së hapjes të kapitullit dhe përgatitjes së ekipeve negociuese. Dhe diku në qershor të vitit 2019 do të fillojmë t'i hapim kapitujt e parë. Dhe ajo është e mundur falë miqve tanë. Miku ynë i parë i ri, Greqia, së bashku me Bullgarinë e bindën Francën”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Në intervistën për ERT, Zaev sqaron se me marrjen e ftesës javën e ardhshme në Samitin e NATO-s, do të fillojnë negociatat parainkuadruese që do të zgjasin deri në janar të vitit 2019, kur pritet të përfundojnë proceset në Maqedoni, ndërsa pastaj të vijojë ftesë për integrim dhe ratifikimi nga vendet anëtare.
