Investimet e huaja, qeveria fton afaristët turq të investojnë në RM

06.07.2018 18:05

Maqedonia ka se çfarë t’u ofrojë investuesve të huaj....

Maqedonia ka se çfarë t’u ofrojë investuesve të huaj. Pozitë gjeografike të favorshme, mbështetje përmes masave të ndryshme dhe mbi të gjitha stabilitet. Anëtarësimi në NATO do ta bëjë vendin më të sigurt dhe më stabil për investime. Kjo u potencua edhe në takimin e ministrave me gazetarët e mediave më të njohura turke, të cilët duhet të përcjellin mesazhin se Maqedonia është e hapur për afaristët turq.

“Nga java e ardhshme, Maqedonia pret që të bëhet edhe anëtare e NATO-s. Pas disa vitesh, Maqedonia bëhet shtet serioz dhe stabil, ku të gjithë investitorët mund të vijnë dhe të investojnë, duke pasur parasysh jo vetëm mbështetjen që e japim si shtet, por edhe stabilitetin”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Maqedonia është lokacioni i vërtetë për investitorët turq. Para Maqedonisë janë perspektivat euroatlantike, të cilat janë sidomos të vlefshme për sigurinë e investimeve. Vendi ofron mundësi të shkëlqyeshme për investime, më shumë në zonat e lira, ku tatimi kooporativ, personal dhe tatimi për pajisje janë zero për qind”,- tha ministri pa resor i investimeve të huaja, Adnan Qail.

Nga 11 kompanitë në zonat e lira ekonomike, pesë janë turke, me një investim kapitali prej 1.8 miliardë dollarë. Afaristët shpresojnë që edhe shkëmbimi tregtar të kalojë shifrën e 1 miliard dollarëve.

“Investimet turke në Maqedoni janë në vlerë të përgjithshme prej 1.8 miliard dollarë, përderisa shkëmbimi tregtar mes dy vendeve është 400 milion dollarë. Duam që në vitet e ardhshme shkëmbimi tregtar të arrijë në 1 miliard dollarë”,- tha kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe Turqisë, Ajdovan Ademovski.

Gazetarët e ekonomisë janë sjellë nga MATTO dhe do të qëndrojnë në Maqedoni deri më 8 korrik. (Ersan Pajaziti, TVM2)