Përbërja e përkohshme e KShZ-së, Besa e Kasamit surprizon ASh-në, dorëzon propozimin
Edhe pse Lëvizja BESA e Bilall Kasamit pritej të dalë me një emër të përbashkët me Aleancën për Shqiptarët....

Edhe pse Lëvizja BESA e Bilall Kasamit pritej të dalë me një emër të përbashkët me Aleancën për Shqiptarët, për vendin që u takon në KShZ, një gjë e tillë nuk ndodhi. Pas mosarritjes së një dakordimi mes dy partive, në momentet e fundit, edhe zyrtarisht Besa ka dorëzuar emrin e Enver Salihit nga Kumanova si anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor.
Nga BESA e Kasamit pohojnë për TVM2 se ky kandidat lirisht mund t’i mbrojë interesat edhe të Aleancës për Shqiptarët, dhe se këtë çështje nuk e shohin si qëndrim ekskluziv të kësaj partie.
“Është e vërtetë se ne ishim në bisedime me ASh-në për sa i përket anëtarit të KShZ-së, që siç parasheh Kodi Zgjedhor, i takon Lëvizjes Besa. Nuk pati ndonjë epilog real nga këto bisedime, por gjithsesi Lëvizja Besa e propozon një profesionist i cili mund t’i përmbushë kriteret dhe punën që e kërkon KShZ, dhe se ky kandidat mund t’i plotësojë edhe kërkesat dhe përfaqësimin edhe të ASh-së si parti opozitare, dhe këtë aspak nuk e shohim si çështje ekskluzive të Lëvizjes Besa, por si raport inkluziv”,- tha zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha.
Nga ASh janë të befasuar nga ky vendim, por me qëndrim zyrtar premtuan të dalin ditën e hënë. Përzgjedhja e anëtarit që i takon opozitës shqiptare ishte njëra nga çështjet e pazgjidhura në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të KShZ-së. Çështja tjetër e rëndësishme që ka mbetur është thirrja e seancës së Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime nga kryetari i saj, Ilija Dimovski.
Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, më herët pohoi se nëse Komisioni nuk mblidhet deri më datën 17 korrik, ai do të thërrasë seancë të Kuvendit për ta përzgjedhur kryetarin e ri të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.
Sipas Kodit Zgjedhor, VMRO-DPMNE-së i takon kryetari i KShZ-së dhe dy anëtarë, LSDM-së i takojnë tre anëtarë, BDI-së një anëtar dhe BESËS së Kasamit dhe ASh-së një anëtar.
Përveç Enver Saliut nga BESA, pjesë e KShZs-ë pritet të jenë edhe juristja nga Gostivari, Ditmire Shehu, si kandidate nga BDI, LSDM mësojmë se do të propozojë ish-kryetarin e këtij trupi zgjedhor, Boris Kondarkon, e Janakie Vitanovskin - ish-anëtar i Komisionit për lustrim, dhe Radica Risteskën - gjykatëse nga Ohri. VMRO-DPMNE për kryetar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve do të propozojë Oliver Derkovskin - ish-deputet dhe Svetllana Karapetrovën - si anëtare.
Në konkursin për kandidat për anëtarë të përkohshëm të KShZ-së kanë konkurruar 41 persona. Anëtarët e KShZ-së do t’i zgjedhë kuvendi me dy të tretën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. (Fitim Kryeziu, TVM2)
