Lufta kundër krimit të organizuar, MPB me sqarime Rreth arrestimit të 8 personave
Ministria e Punëve të Brendshme ka zbuluar detaje të reja për 8 personat e privuar nga liria....

Ministria e Punëve të Brendshme ka zbuluar detaje të reja për 8 personat e privuar nga liria një ditë më parë që akuzohen se përmes kërcënimeve u kanë marrë vetura dhe pasuri të tjera të patundshme, viktimave të cilët nuk kanë mundur të kthejnë borxhet e marra me fajde.
Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Llazo Vellkovski, sqaroi sot se 8 personat kishin më shumë se dy vite që ndiqeshin nga Prokuroria.
Bëhet fjalë për dy vëllezër nga Saraji, tre persona nga Shkupi, një nga Struga, një nga Velesi dhe një nga Negotina. Në shtëpitë dhe veturat e të arrestuarve, janë gjetur armë, substanca narkotike, plumba, pushkë gjuetie dhe peshore elektronike me gjurmë heroine si dhe rreth 48 mijë euro.
MPB sqaron se dy vëllezërit nga Saraji që qëndronin në krye të grupit kriminal, kanë kërkuar kamatë prej 8% nga vlera totale e borxhit, e kur nuk kanë arritur ta marrin të njejtën, përmes kërcënimeve edhe me jetë, u kanë marrë borxhlinjve veturat apo pasuri tjetër të patundshme me nënshkrim të noterëve.
Grupi ka bërë edhe tregti me heroinë, sqaron Vellkovski. Ndaj dy prej të arrestuarve është caktuar masë paraburgimi 30 ditor dhe është ngritur padi penale nga Prokuroria Publike për fajde, kërcënim, trafikim të lëndëve narkotike armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera kriminale.
