Ivanov: Zaev gënjen, s’përkrah marrëveshje të dëmshme

06.07.2018 19:11

Presidenti, Gjorge Ivanov, demanton deklarimet e kryeministrit Zaev në televizionin grek ERT....

Presidenti, Gjorge Ivanov, demanton deklarimet e kryeministrit Zaev në televizionin grek ERT, se kreu i shtetit ka dhënë sinjale se do të mbështet Marrëveshjen me Greqinë.

“Kryeministri Zaev me qëndrimet e tij konfuze, kontradiktore dhe të ndryshueshme po vazhdon të gënjejë dhe manipulojë jo vetëm opinionin vendas dhe atë grek por, edhe atë ndërkombëtar. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Europian nuk guxojnë të keqpërdoren për pranimin e një marrëveshjeje të dëmshme për shtetin maqedonas dhe popullin maqedonasit”,- thuhet në kumtesën e presidentit të shtetit duke sqaruar se qëndrimi i presidentit Ivanov është i pandryshueshëm dhe se asnjë presion apo kërcënim nuk do ta bëjë të hamendet.

VMRO: ZAEV SHPËRFYTYRON POPULLIN MAQEDONAS

Edhe VMRO DPMNE me akuza ndaj kryeministrit Zaev. “Në vend të mediave vendore, Zaev zgjodhi televizion të huaj për të treguar pyetjet e referendumit”- thotë VMRO DPMNE, duke shtuar se Zaev po anashkalon partinë opozitare maqedonase dhe presidentin e republikës.

“Nxitoi ta njoftojë opinionin grek për detajet e referendumit, të të cilin do të votojë populli maqedonas. Është më se e qartë se për Zaevin nuk  ka rëndësi konsensusi nacional për çështje të këtilla themelore dhe as se çfarë mendojnë qytetarët. Për Zoran Zaevin është me rëndësi vetëm të realizojë atë që ka premtuar pa marrë parasysh çmimin që do ta paguajmë të gjithë”,- tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajlovski.

Sipas opozitës maqedonase, Zaev po manipulon opinionin duke lidh anëtarësimin në NATO dhe BE me shpërfytyrimin e popullit maqedonas. (Shpëtim Nuredini, TVM2)