Ekonomi
IPA fondet, më shumë projekte me Shqipërinë, ngecin projektet me Kosovën
03.08.2014 18:17
Ministria për Vetqeverisje lokale, ka shfrytëzuar rreth 70% të fondeve IPA, komponenta për bashkëpunim ndërkufitar...

Ministria për Vetqeverisje lokale, ka shfrytëzuar rreth 70% të fondeve IPA, komponenta për bashkëpunim ndërkufitar. Interesimi i komunave kufitare për të përfituar nga këto fonde rritet gjithnjë e më shumë, ndërsa cilësia e projekteve është gjithnjë e më e mire, thotë Ministri i pushtetit lokal , Lirim Shabani.
“Pas secilit program të ri implementimi shkon pak vështirë. Në fillim ka pasur numër më të vogël të projekteve, ka pasë cilësi relativisht të ulët të projekteve, si dhe institucione relativisht të vogla, të cilat kanë aplikuar, mirëpo me kalimin e viteve numri i aplikimeve rritet, cilësia rritet” thotë ministri Shabani.
Shabani njofton se zyrat e Ministrisë janë në dispozicion të komunave dhe institucioneve të tjera, që kanë të drejtë aplikimi, dhe janë të gatshme t’i ndihmojnë në hartimin e projekteve dhe aplikimin për fonde.
“Ne si Ministri e Pushtetit Lokal, në kuadër të IPA fondeve kemi katër zyra teknike, ndihmëse, pikërisht për institucionet të cilat aplikojnë. Në bashkëpunim me Kosovën kemi një zyrë në Kumanovë, në bashkëpounim me Bullgarinë kemi një zyrë në Strumicë, në bashkëpunimin me Greqinë e kemi një zyrë në Manastir, në bashklëpunimin me Shqipërinë e kemi një zyrë në Strugë. Kemi punësuar persona të cilët janë pikërisht për t’u dalë në ndihmë institucioneve, të cilat aplikojnë si dhe për ta ndjek rrjedhën e tërë procesin deri në realizimin e tërë projekteve konkrete” shton Shabani.
Në periudhën 2007-2013 janë realizuar 47 projekte bashkëpunimi me Shiqpërinë, në vlerë prej 9.5 milionë euro. Bashkëpunimi me Kosovën ka filluar më vonë, prandaj vazhdon evaluimi i projekteve për bashkëpunim ndërkufitar për thirrjen e parë, për të cilat janë paraparë 3.2 milionë euro.
Më shumë fonde janë shfrytëzuar për projekte bashkëpunimi me Greqinë, përkatësisht 31.5 milionë euro dhe atë për realizimin e 19 projekteve për bashkëpunim, ndërsa më shumë projekte bashkëpunimi janë realizuar me Bullgarinë, përkatësisht 94 projekte, por me vlerë më të vogël krahasuar me Greqinë. Në projekte bashkëpunimi me Bullgarinë janë shfrytëzuar 18 milionë euro.
Në financimin e projekteve participon edhe Ministria e vetëadministrimit lokal me 15% nga vlera e përgjithshme për realizimin e projektit.
SHPËTIM NUREDINI