Botë

Tajlandë, punohet në evakuimin e fëmijëve të bllokuar në një shpellë

07.07.2018 14:25

Në veri të Tajlandës vazhdojnë punimet për evakuimin e 12 fëmijëve futbollistë...

Në veri të Tajlandës vazhdojnë punimet për evakuimin e 12 fëmijëve futbollistë dhe trajnerit të tyre të cilët u gjetën në një shpellë në provincën veriore Chiang Rai, nëntë ditë pasi ishin zhdukur teksa vizitonin shpellën si ekip.
 
Guvernatori i provincës Chiang Rai, Narongsak Osatanakorn tha se kushtet e volitshme të cilat janë krijuar pas pushimit të reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit dhe uljes relative të nivelit të ujit në shpellë, nesër mund të ndryshojnë për shkak të shiut që pritet të bie. Për këtë arsye, guvernatori tha se po përgatiten për evakuimin e fëmijëve nga shpella.
 
Ai tha se gjatë fundjavës pritet që në rajon të arrijnë dy grupe të formuara nga zhytës ekspertë për operacionin e evakuimit.
 
“Që nga fillimi plani ynë ishte evakuimi sa më shpejtë i fëmijëve. Këtu faktori përcaktues ishte të gjendet një moment kur niveli i ujit në shpellë është i ulët aq sa të jetë e mundur. Aktualisht niveli i ujit ka rënë në një masë. Por, nuk e dimë se çfarë rreziqe mund të shkaktojë ringritja e nivelit të ujit me fillimin e reshjeve”, tha Osatanakorn.
 
Ndërkohë ekipi i sportistëve të fëmijëve nga Tajlanda, i kanë shkruar një letër prekëse prindërve dhe mësuesve të tyre. “Mos u shqetësoni ne të gjithë jemi të fortë”. 
 
Mes të tjerave ata kanë renditur edhe një listë me ushqimet që kërkojnë nga prindërit që tu dërgojnë. Gjithashtu ata kanë edhe një kërkesë fëminore, për mësuesit e tyre; “Mos na jepni shumë detyra shtëpie, kur të kthehemi”. Ndërsa trajneri i djemëve në një letër të veçantë i shprehte keqardhje prindërve të 12 lojtarëve. Në letrën e tij, trajneri 25-vjeçar Ekkapol Chantaëong siguroi prindërit duke thënë: “Të dashur prindërit e të gjithë fëmijëve, tani të gjithë janë mirë, ekipi i shpëtimit po na trajton mirë".