Botë
Përmbytjet në Japoni, raportohen më shumë se 60 të vdekur
08.07.2018 13:42
Nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në zonat perëndimore të Japonisë, kanë humbur jetën më shumë se 60 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë janë zhdukur....

Shumica e viktimave janë regjistruar në Prefekturën e Hiroshimës, e cila është goditur rëndë nga shira të rrëmbyeshëm që prej së enjtes. Qindra shtëpi janë dëmtuar, rreth 1.5 milionë njerëz janë urdhëruar të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa dyfishi i tyre janë këshilluar të largohen.
Autoritetet thonë se, me të gjitha gjasat, kjo do të jetë fatkeqësia më e rëndë nga moti që ka parë ndonjëherë Japonia në dekada të tëra. Kryeministri Shinzo Abe tha se autoritetet janë përballur me një “garë kundër kohës”, për të shpëtuar dhe evakuuar njerëzit. Mijëra forca policie, zjarrfikësish dhe ushtarësh po marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Disa prej viktimave janë varrosur të gjallë nga rrëshqitjet e dherave, siç raporton agjencia e lajmeve të Kyodos. Edhe Kyoto, një qytet rreth 300 km në lindje të Hiroshimës, është prekur nga reshjet e jashtëzakonshme. Banorë lokalë janë shprehur se “kushdo që jeton buzë lumenjve duhet të bëhet nervoz, për shkak se sezoni i tajfuneve është thjesht në fillimin e tij”.
