Maqedoni
Reformat tek filloristët prolongohen, pas implementimit të ligjit pasojnë risitë; A do të ketë korrigjime në lëndën e historisë? MASh: nuk kontribuojmë në krijimin e tensioneve
09.07.2018 15:57
Ligji për arsim fillor është në përgatitje e sipër, kështu që pilot projekti i paralajmëruar për reforma në arsimin fillor...

Ligji për arsim fillor është në përgatitje e sipër, kështu që pilot projekti i paralajmëruar për reforma në arsimin fillor nga klasa e parë deri në të tretën nuk do të fillojë në shtator, siç ishte paralajmëruar.
Kështu vlerëson ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi, sipas të cilit MASh është e fokusuar maksimalisht në përgatitjen e ligjit të ri, ndërsa aktualisht po punohet në shqyrtimin e vërejtjeve që janë dhënë për propozim programet, si dhe në versionin e dytë të ligjit, i cili sërish do t’i nënshtrohet vërejtjeve në regjistrin elektronik.
“Byroja për Zhvillimin e Arsimit, e cila duhet t’i propozojë ato programe në opinion, ka një sërë vërejtjesh implementatori edhe me gojë, por edhe me shkrim ka një sërë vërejtjesh, sepse duhet të përballohet edhe aspekti financiar për zbatimin e programeve mësimore. Në këtë periudhë jemi të fokusuar maksimalisht në përgatitjen e ligjit të ri dhe do të vendosim për zbatimin e reformave kur të jemi të sigurtë se do të japë rezultatet e pritura dhe nuk do të lejohet që të eksperimentohet me fëmijët që janë e ardhmja e vendit”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Pas miratimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e teksteve shkollore, ku janë konstatuar gabime, MASh i ka bërë thirrje opinionit që çdo qytetar të propozojë vërejtje dhe sugjerime konkrete. Komisionet e formuara po shqyrtojnë propozimet e marra edhe nga Shtëpitë botuese për cilësinë e teksteve shkollore.
Ndërkohë, sa u përket ndryshimeve që priten në librat e historisë, Ademi vlerëson se MASh duhet të harmonizojë qëndrimet në përputhje me aspiratat e vendit për anëtarësim në NATO dhe BE.
“Me asnjë veprim tonin, me asnjë akt ne si MASh nuk duam të kontribuojmë që të krijojmë tensione të reja, por jemi maksimalisht të interesuar që të përmirësojmë kualitetin e teksteve shkollore dhe për ne të gjitha tekstet shkollore janë me rëndësi dhe do merren parasysh”,- u shpreh ministri i arsimit, Arbër Ademi.
MASh paralajmëroi edhe investime kapitale ndërtime të shkollave të reja dhe sanimin e objektit të djegur në shkollën e Novosellës.
“Për Novosellën përgatitje janë bërë, do të kemi furnizime publike, përgatitje të dokumentacionit teknik për sanimin e objektit dhe revizionin e përgatitur si dokumentacion teknik”,- u shpreh ministri i arsimit, Arbër Ademi.
MASh po punon edhe në përpilimin e Ligjit të ri për arsimin e mesëm, ku do të promovohet arsimimi i mesëm i dyfishtë profesional.
Po ashtu sa i përket mësimit të gjuhëve të huaja, përveç asaj angleze, frënge dhe gjermane, nxënësit në shkollat fillore dhe të mesme mund të zgjedhin të mësojnë edhe gjuhën italiane.
FLUTURA LATIFI
