MPB: Ka ndërruar jetë N. S., i sulmuar para 10 ditësh
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë 21 vjeçari N. S., i cili më 29 qershor fizikisht u sulmua nga ana e tre personave....

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë 21 vjeçari N. S., i cili më 29 qershor fizikisht u sulmua nga ana e tre personave në stacionin e autobusit në bulevardin "Aleksandar Makedonski", në Autokomandë të Shkupit. Vdekja e djaloshit u konfirmua nga mjekët e klinikës "Nënë Tereza" dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Kjo e fundit po ashtu ka konfirmuar se sulmuesit janë kapur dhe tanimë ndodhen në paraburgim.
“Më 20 qershor në stacionin e autobusëve në Bulevardin Aleksadar Makedonski tre persona të moshës 19, 20 dhe 21 vjet e kanë sulmuar N. S., pas çka ai është dërguar në qendrën urgjente. Menjëherë janë marrë masa adekuate dhe i paraqituri i parë dhe i paraqituri i dytë janë arrestuar dhe menjëherë u është shqiptuar masa e paraburgimit”,- deklaroi Toni Angellovski nga MPB.
“Është sjellë në gjendje shumë të rëndë, me lëndime të rënda në tru dhe epilogu ishte i rëndë, disa herë arritëm ta kthejmë në jetë, por fatkeqësisht iu nënshtrua plagëve”,- tha Maja Mojsova nga Qendra urgjente.
Nga MPB njëherit apelojnë që rastit të mos i jepet karakter etnik.
“Dhunuesi është dhunues nuk është me rëndësi nëse është shqiptar ose maqedonas, ai që është dhunues do të përgjigjet. Ekzistojnë ligje, funksionon shteti juridik, ata tanimë janë në paraburgim dhe nuk kanë ku ikin”,- tha Toni Angellovski nga MPB.
Po ashtu Policia po heton edhe rastin e foshnjës 14 muajshe, e cila para dy ditëve nga nëna e saj u soll në Qendrën Urgjente me lëndime trupore. Ndërkohë, mjekët njoftojnë se gjendja shëndetësore e foshnjës është relative dhe stabile.
Nga Klinika për Mjekim Intensiv thonë se foshnja aktualisht merr frymë dhe nuk është në aparate, por akoma ka rrezik për jetën e saj, pasi në spital është sjellë me thyerje dhe lëndime trupore. (Gyltene Sinani, TVM2)
