Maqedoni

“Dhuna në komunën Qendër”, në gjykatë Gruevski e Janakieski

09.07.2018 18:42

Me dëgjimin e dëshmitareve, Sashka Gjosheva dhe Vesna Milosalevska,vazhdoi procesi gjyqësor për rastin “Dhuna në komunën Qendër”...

Me dëgjimin e dëshmitareve, Sashka Gjosheva dhe Vesna Milosalevska,vazhdoi procesi gjyqësor për rastin “Dhuna në komunën Qendër”, ku të akuzuar janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, këshilltarja e asaj kohe e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, dhe pjesëmarrësit në turmën e 10 qershorit të vitit 2013 gjatë protestës para komunës Qendër të Shkupit.

Dy dëshmitaret, Gjosheva dhe Milosalevska, të cilat aso kohe ishin këshilltare nga radhët e LSDM-së, deklaruan se më 10 qershor është organizuar sulm në komunën Qendër nga turma e manipuluar. Ato thanë se mes pikave të rendit të ditës, në seancën e pestë të Këshillit të Komunës nuk ka pasur pikë të rendit të ditës për shkatërrimin e kishës “Shën Konstantin dhe Elena”.

Po ashtu, sipas tyre, policia ka qenë vetëm vëzhguese në heshtjen e ndodhive, pasi kur është kërkuar nga ana e këshilltareve të LSDM-së të mbrohen, policia është përgjigjur se nuk ka urdhër të veprojë.

Dëshmitarja Gjosheva mes të akuzuarve të cilët kanë qenë prezentë në ngjarje, ka përmendur Rangellovën dhe Aleksandër Trajkovskin, ndërsa dëshmitarja Millosavlevska mes të akuzuarve ka njohur Rangellovën, Mitko Pecevin dhe Daniel Trifunovskin.