Samiti BE - Ballkani Perëndimor në Londër, Zaev pritet të takojë Mogerinin
Kryeministri Zaev i cili po udhëheq delegacionin e Qeverisë së Maqedonisë në Samitin e BE-së.....

Kryeministri Zaev, i cili po udhëheq delegacionin e Qeverisë së Maqedonisë në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Londër, pritet që sot të takojë përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherinin.
Në suaza të Samitit është planifikuar që Zaevi të realizojë takim bilateral edhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ndërsa në margjina të takohet me drejtorin e Shërbimit britanik për siguri kombëtare, Robert Çarterton Dikson, si dhe anëtarët e Ohrit - grup, në organizim të të cilit është edhe mëngjesi i punës me 16 politikanë, përfaqësues ushtarakë dhe gazetarë nga Mbretëria e bashkuar.
Ndërsa në debatin e organizuar në Samit në temën “Pas Berlinit çfarë sjell dekada e ardhshme për Ballkanin perëndimor”, shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, ka thënë se vendi ka merituar vendim të pastër për fillim të bisedimeve, por politika është art i së mundshmes dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur me përpjekje maksimale që të ecim përpara.
Ndërkohë, eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, theksoi se referendumi që pritet të organizohet në Maqedoni është zgjedhje e lirë e qytetarëve e jo gjendje në të cilën diçka u imponohet dhe nëse vendi i plotëson kushtet vendet anëtare duhet të reagojnë pozitivisht.
Ngjarja qendrore e Samitit të BE-së do të fillojë me pritjen që ka organizuar kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, për shefat e delegacioneve të vendeve anëtare të procesit të Berlinit dhe vendeve anëtare të BE-së, që janë të pranishëm në samit. Në samit, Britania paralajmëroi se do të dyfishojë fondet për Ballkanin Perëndimor, për t’iu ndihmuar vendeve të këtij rajoni që të trajtojnë kërcënimet e përparimit të tyre, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës me drogë.
