Turqi, Erdogani publikon kabinetin e ri qeveritar

10.07.2018 12:05

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka publikuar mbrëmë emrat e kabinetit të ri qeveritar....

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka publikuar mbrëmë emrat e kabinetit të ri qeveritar, i cili përbëhet nga 16 ministra, për dallim nga qeveria e mëparshme e cila numëronte 23 ministra.

Ministër të financave e emëroi dhëndrin e tij, Berat Albajrak, i cili deri më tani ishte ministër i energjetikës dhe resurseve natyrore. Mevlut Çaushogllu mbetet ministër i punëve të jashtme, Sulejman Sojlu përsëri është ministër i punëve të brendshme, ndërsa i pandryshuar është edhe ministri i drejtësisë, Adulhamit Gjyl.

Shefi i deritanishëm i shtatmadhorisë, Hulusi Akar, do të jetë ministër i ri i mbrojtjes. Për herë të parë në krye të Ministrisë së Tregtisë do ta drejtojë një grua - Ruhsar Pekxhan, ndërsa gruaja e dytë në Qeverinë e re është ministrja e çështjeve familjare, Zehra Zymrat Sellçuk, në të cilën ministri u bashkua edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Pas vendosjes së sistemit presidencial në Turqi, Erdogan do të ketë të drejtë t’i emërojë dhe shkarkojë ministrat, ndërsa Qeveria turke nuk do ta ketë më Ministrinë e Çështjeve Evropiane.