Shekerinska: Prej nesër vendi në të njëjtën tavolinë me fuqitë botërore

10.07.2018 14:18

Maqedonia pret që në Samitin e NATO-s, më 11 dhe 12 korrik, në Bruksel....

Maqedonia pret që në Samitin e NATO-s, më 11 dhe 12 korrik, në Bruksel, ta marrë ftesën e shumëpritur për anëtarësim. Në prag të Samitit të Aleancës, ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, iu drejtua me një video mesazh qytetarëve, duke theksuar se me anëtarësimin në NATO vendi do të bëhet partnere dhe aleate me vendet më të fuqishme në botë.

"Nesër dhe pasnesër në Bruksel, Republika e Maqedonisë do të ulet në të njëjtën tavolinë me fuqitë botërore. Vendi ynë zyrtarisht do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO. Këtë shans në vitin 2008 e lëshuam dhe që atëherë deri më tani, punët ecën në drejtim të gabuar. Pamë çfarë do të thotë të jetosh në shtet jo të sigurt dhe në rajon jostabil. Kaluam shumë kriza, ndërsa shteti stagnonte në çdo lëmi. Të nderuar bashkëqytetarë, gjatë 10 viteve të kaluara një gjë u bë e qartë, pa perspektiva të hapura për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Europian, ardhmëria e Maqedonisë është e pasigurt. Anëtarësimi në NATO është mundësi historike të cilën tani patjetër ta shfrytëzojmë. Me atë Republika e Maqedonisë do të bëhet partnere dhe aleate me vendet më të fuqishme në Botë. Anëtarësimi në NATO do të jetë stabilitet dhe siguri për Republikën e Maqedonisë dhe qytetarët e saj, por kjo do të sjellë edhe mundësi për zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe prosperitet. Qytetarë të nderuar, gjatë vitit të kaluar kemi bërë ndryshime shumë të mëdha, bëmë hapa të mëdha përpara, kemi zgjidhur probleme të rënda, dëshmuam se Maqedonia mundet më mirë",- deklaroi Shekerinska.

Jam krenare me atë që është arritur dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, theksoi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. (Gyltene Sinani, TVM2)