Dimitrov: Merituam datë të pastër, negociata me BE-në, Hahn: Referendumi, zgjedhje e lirë e qytetarëve

10.07.2018 15:20

Maqedonia ka merituar vendim të pastër për fillim të bisedimeve me BE-në....

Maqedonia ka merituar vendim të pastër për fillim të bisedimeve me BE-në, ka deklaruar mes tjerash shefi i Diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov, në kuadër të punimeve në sesionin me temë “Pas Berlinit çfarë sjell dekada e ardhshme për Ballkanin Perëndimor”, në kuadër të Samitit të Londrës.

Sipas tij, politika është arti i së mundshmes, andaj vendi do të bëjë gjithçka që është e mundur me përpjekje maksimale për të ecur përpara. Jetojmë në kohëra të pasigurta dhe është shumë vështirë të parashihet se ku mund të jemi pas një viti. Është koha e duhur që rajoni të bëjë hapin e sigurt për t’u pozicionuar në linjën e vërtetë, ka thënë Dimitrov, duke shtuar se Maqedonia nuk mund të jetë e suksesshme nëse Ballkani në tërësi nuk është i suksesshëm.

“Qytetarët e BE-së duhet ta kuptojnë se procesi i zgjerimit mund të na transformojë, por gjithashtu edhe i përmirësojmë të njëjtat. Procesi paraqasës është mundësi për transformim të shoqërive. Për shkak të krizës politike me të cilën u ballafaqua Maqedonia, opinioni në vend u bë mjaft kritik dhe nuk toleron më gabime. Qeveria ime është prodhim nga kriza politike, e cila na bëri me dije se na nevojiten institucione të fuqishme, demokraci europiane, gjykata të pavarura dhe media të lira. Edhe pse duam afate, data, më e rëndësishmja nga të gjithë kjo është të kemi datë të saktë dhe vendet tona t’i bëjmë europiane”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme i RM-së, Nikolla Dimitrov.

Ndërkohë, eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, theksoi se referendumi i paralajmëruar në Maqedoni është zgjedhje e lirë e qytetarëve dhe assesi situatë e imponuar. Ai përkujtoi se në shkurt të këtij viti u prezantua Strategjia për Ballkanin Perëndimor, e cila, siç tha, shkaktoi reagime dhe një prej tyre ishte edhe paralajmërimi se BE nuk do të pranojë anëtare të reja të cilat kanë konteste të pazgjidhura me fqinjët, ka deklaruar eurokomisari Hahn.

“Ajo krijon më tepër energji për t’u zgjidhur më tepër çështje dhe më dominuesja dhe më e madhja është zgjidhja e kontestit historik për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Tani duhet bërë gjithçka që është e mundur që vendi t’i bindë qytetarët e saj në vendimmarrjen e drejtë për këtë çështje”,- tha komisari i zgjerimit i BE-së, Johanes Hahn.

Procesi i Berlinit është iniciativë e lansuar nga viti 2014 me qëllim të mbajtjes së momentumit për reforma në rajon, ku përveç që përfshihen vendet anëtare të  BE-së, përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)