Maqedoni
Stoltenberg: Maqedonia së shpejti anëtarja e 31 e NATO-s
10.07.2018 15:44
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin e Aleancës....

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin e Aleancës ushtarake se Maqedonia në Samitin e nesërm të NATO-s në Bruksel, do të marrë ftesë për fillimin e bisedimeve paraqasëse për anëtarësim në NATO.
Ndërsa vetëm pas finalizimit dhe zbatimit të marrëveshjes, nga e cila do të zyrtarizohet emri i ri Maqedonia e Veriut, do të bëhet edhe zyrtarisht anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Stoltenberg ka përshëndetur ecurinë pozitive të Maqedonisë në rrugën euroatlantike dhe shprehet se Maqedonia shumë shpejtë do të bëhet anëtare e 31 e NATO-s.
“Unë pres që pas marrëveshjes historike të muajit të kaluar mbi çështjen e emrit, do të ftojmë Maqedoninë të fillojë bisedimet paraqasëse. Me të finalizuar dhe zbatuar marrëveshjen, ne do e ftojmë Maqedoninë që të bëhet anëtarja e 31 e NATO-s, nën emrin e ri Republika Maqedonia e Veriut”,- tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltemberg.
Ndërsa nga ana tjetër, ministrja e mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, ka pohuar se dy ditët në vazhdim pa dyshim se do të jenë ditë historike për Maqedoninë, sepse pikërisht në këto dy ditë Maqedonia do të ulet në të njëjtën tavolinë me fuqitë më të mëdha botërore.
“Nesër dhe pasnesër në Bruksel Maqedonia do të ulet në të njëjtën tavolinë me fuqitë botërore. Vendi ynë zyrtarisht do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO. Këtë mundësi e kemi humbur në vitin 2008 dhe që nga atëherë punët kanë shkuar në drejtim të gabuar. Anëtarësimi në NATO është një mundësi historike që duhet ta përdorim tani. Anëtarësimi në NATO do të jetë stabiliteti dhe siguria për vendin dhe qytetarët e saj. Por, kjo gjithashtu do të sjellë një mundësi për një zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe prosperitet”,- u shpreh ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Maqedonia, brenda kohës, pa ndalesa dhe obstruksione, do të duhet ta fillojë organizimin e referendumit, pastaj fillon njoftimi i shteteve të cilat kanë pranuar Maqedoninë me emrin e tanishëm kushtetues, se emri i ri do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut. Por me shumë interesim pritet edhe ratifikimi i marrëveshjes në Parlamentin grek.
FITIM KRYEZIU
