Samiti i NATO-s, Hyseni: Ftesa, moment historik
Maqedonia do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe do të bëhet anëtarja e 30 e aleancës....

Maqedonia do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe do të bëhet anëtarja e 30 e aleancës me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut. Pavarësisht konfliktit rreth buxhetit për mbrojtje, i cili duhet të jetë 2% nga BPV, shefat e vendeve anëtare të NATO-s do t’ia ndajnë Maqedonisë ftesën për anëtarësim.
Ftesa e ngelur pezull që në Samitin e Bukureshtit do të valorizohet falë arritjes së marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.
Analisti politik, Blerim Hyseni, thotë se marrja e ftesës është moment historik për Maqedoninë dhe vulos përcaktimin e saj perëndimor.
“Mendoj që kjo rrugë ka qenë e gjatë edhe nëse e krahasojmë me shtetet tjera anëtare të NATO-s, por Maqedonia ka pasur specifikat siç ka edhe me ftesën për anëtarësim, por e rëndësishme është që Maqedonia mori drejtimin për anëtarësim në NATO, të cilën e kanë dëshirua të gjithë. Është një ngjarje shumë e rëndësishme për ardhmërinë e këtij shteti”,- tha analisti, Blerim Hyseni.
Veç lidershipit për zgjidhjen e kontestit rreth emrit, rol të rëndësishëm në këtë proces ka luajtur përcaktimi plebishitar dhe i paluhatur i shqiptarëve, nënvizon Hyseni.
“Përqindja e qytetarëve të Maqedonisë sigurisht se është shtuar me mendimin plebishitar të shqiptarëve se 99% janë për anëtarësim në NATO. Kësaj ideje dhe kësaj platforme i janë bashkëngjitë edhe një numër i madh i qytetarëve maqedonas dhe mendoj që tek e fundit anëtarësimi në NATO për Maqedoninë hap perspektiva të tjera”,- theksoi analisti, Blerim Hyseni.
Hyseni nuk përjashton mundësinë e skenarëve rus, të ngjashëm me atë në Mal të ZI. Por, sipas tij, këto përpjekje janë të destinuara të dështojnë, pasi integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE, është proces i pakthyeshëm.
“Mendoj që Rusia tani, më tepër është përqendruar të bëj zhurmë gjatë këtij procesi sepse është proces i pandalshëm. Sado që tentoi të njëjtën ta bëjë në Mal të Zi nuk arriti, por këtu tendencat do të jenë edhe shumë më të vogla për shkak se mbështetja është shumë më e vogël dhe në Maqedoni ka specifika të tjera”,- u shpreh analisti, Blerim Hyseni.
Ftesa për anëtarësimin e Maqedonisë është e kushtëzuar me zbatimin e plotë të marrëveshjes me Greqinë, që nënkupton referendum të suksesshëm, ndryshime kushtetuese për të ndryshuar emrin e shtetit dhe ratifikim të Marrëveshjes në Parlamentin grek. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
