Maqedoni
Samiti i Londrës, perspektiva e Ballkanit - temë kyçe
10.07.2018 18:01
Në kuadër të Samitit të Londrës, kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Teresa Mej....

Në kuadër të Samitit të Londrës, kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Teresa Mej, ka pritur sot shefat e delegacioneve të vendeve anëtare të procesit të Berlinit dhe vendeve anëtare të BE-së.
Politika e jashtme, e çështjet bilaterale, trashëgimia nga e kaluara, çështja e sigurisë dhe migracionit kanë qenë tema diskutimi në sesionet e ditës së dytë të Samitit europian. Në këtë drejtim, Britania e Madhe paralajmëroi se do të dyfishojë fondet për t’iu ndihmuar vendeve të këtij rajoni.
“Riafirmuam angazhimin tonë për të arritur një rajon të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë të Ballkanit Perëndimor, i lidhur me vlerat dhe sistemet europiane dhe duke kontribuuar në sigurinë europiane. Ne gjithashtu unanimisht rikonfirmuam mbështetjen tonë të qartë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Ne theksuam vendosmërinë tonë për të thelluar bashkëpunimin rajonal në mënyrë që të ofrojmë atë perspektivë europiane, duke vënë në dukje gjithashtu rëndësinë e përqendrimit dhe ristrukturimit të organizatave rajonale dhe kornizave, për të siguruar efikasitetin”,- janë disa nga konkluzat e ministrave të jashtëm të arritura në Samitin e sotëm në Londër.
Eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, një nga referuesit më të rëndësishëm në këtë event, thotë se është arritur shumë deri tani në kuadër të procesit të Berlinit, i cili ka kontribuuar për krijimin e një vizioni të ri mbi rajonin.
“Nëse partnerët tanë nuk bashkëpunojnë në nivel rajonal dhe ruajnë marrëdhënie të mira, Ballkani Perëndimor nuk do të arrijë të realizojë përparim të qëndrueshëm në rrugët e veta europiane”,- ka thënë eurokomisari Hahn në intervistë për “European Western Ballkan”.
Samiti i Londrës është vazhdim i procesi i Berlinit, një nismë e lansuar në vitin 2014, ku kishte për qëllim ruajtjen e momentit të reformave në rajon. Konkluzat që do të arrihen në këtë Samit do të shqyrtohen në samitin e radhë, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Varshavë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
