Djemtë e shpëtuar nga shpella në Tajlandë nuk marrin pjesë në finalen për Kupën e Botës
Federata Botërore e Futbollit ka ftuar djemtë që janë shpëtuar nga një shpellë në Tajlandë....

Federata Botërore e Futbollit ka ftuar djemtë që janë shpëtuar nga një shpellë në Tajlandë, që të marrin pjesë në finale të Kampionatit për Kupën e Botës, që zhvillohet më 15 korrik në Moskë, mirëpo mjekët kanë thënë se është shumë herët që ata të udhëtojnë aq larg.
Anëtarët e fundit të grupit prej 13 personave janë nxjerrur të gjallë nga një shpellë më 10 korrik, duke u dhënë fund vuajtjeve 17 ditore, të cilat kanë fituar vëmendje ndërkombëtare.
Ata janë dërguar më pas në spital me helikopter, rreth 70 kilometra nga kompleksi i shpellës. Djemtë e moshës, 11-16 vjeçare dhe trajneri i tyre gjenden në spital, derisa më vonë është planifikuar mbajtja e një konference për media për të kuptuar më shumë për shëndetin e tyre. Pjesëtarët e grupit janë shpëtuar 17 ditë pasi ishin bllokuar në një shpellë në Tajlandë nga 23 qershori.
