Maqedoni

Kompletimi i KShZ-së, Xhaferi: respektoj procedurat, partitë të merren vesh

11.07.2018 15:33

Të gjitha subjektet politike në parim kanë deklaruar se janë për debllokim të procesit të përzgjedhjeve të anëtarëve të rinj të KShZ...

Të gjitha subjektet politike në parim kanë deklaruar se janë për debllokim të procesit të përzgjedhjeve të anëtarëve të rinj të KShZ, por në praktikë, një gjë e tillë nuk po shihet.
 
Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, edhe njëherë u ka bërë thirrje partive politike që t’i tejkalojnë dallimet rreth përzgjedhjes së anëtarëve të përkohshëm të KShZ-së, procedurë kjo nga e cila varet drejtpërdrejt mbajtja e referendumit për çështjen e emrit. 
 
“Unë mendoj se zgjidhja për KShZ-në do të ishte sikur partitë politike të largohen nga kushtet të cilat i kanë vendosur dhe kjo është përgjegjësi e partive politike, dhe kjo është procedurë, sepse ligjin e kanë sjellë në mënyrë konsensuale, dhe ashtu do të duhet të veprojnë. Ndërsa për ndryshimet dhe kërkesat tjera mund të ulen të bisedojnë. Unë nuk dua këtu të tregoj a jam i fuqishëm apo jo, por dua t’i respektoj procedurat”,- tha kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi pohon se Kuvendi ka mekanizma ta tejkalojë ngërçin aktual në Komisionin për Çështje dhe Emërime, por nëse kjo bëhet në mënyrë të njëanshme, opozita sërish do të mund ta bllokojë votimin në kuvend, ku përbërja e përkohësie e KShZ-së do të duhet të ketë 2/3 e votave.
 
“Kjo nuk është përgjegjësi e Kuvendit, por e partive politike. Referendumi nuk mund të mbahet sepse edhe aty ka një procedurë ligjore ku thotë se referendum duhet të mbahet minimum 60 ditë apo maksimum 90 ditë nga vendimi për referendum. Ligji për anëtarët e KShZ-së thotë se të njëjtit do të mund të votohen me 2/3 e votave në Kuvend, unë ndoshta edhe mund ta sjell deri në Kuvend, por aty duhet pastaj pëlqim nga të gjitha partitë”,- u shpreh kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
 
Të gjitha partitë kanë bërë tashmë  publike edhe emrat e anëtarëve të tyre në KShZ, por mbetet të ulen dhe të diskutohen metodat dhe rruga e debllokimit të procesit.
 
FITIM KRYEZIU