Gjykatësi Shabani në pushim mjekësor, shtyhet dëgjimi i dëshmitarit “E1” për “Monstrën”
Gjykatësi i dytë i lëndës në rastin “Monstra”, Osman Shabani, u sëmur papritur dhe hapi pushim mjekësor....

Gjykatësi i dytë i lëndës në rastin “Monstra”, Osman Shabani, u sëmur papritur dhe hapi pushim mjekësor dhe kjo bëri që gjykatësi i parë i rastit të anulojë seancën në të cilën duhej të dëgjohej dëshmitari i mbrojtur “E1”.
Gjykatësi, Ognen Stavrev, arsyetoi se nuk bëhet fjalë për sëmundje të rëndë, por për diçka kaluese, megjithatë tentimi i tij që të vazhdojë gjykimin me procedurat tjera u kundërshtua nga familjarët e të vrarëve. Ata kërkuan që në pamundësi të dëgjimit të dëshmitarit “E1”, të dëgjohen dëshmitë e tyre rreth premtimeve që kanë marrë për këtë rast, para ndryshimit të pushtetit. Por, kjo nuk u pranua nga gjykatësi Stavrev.
FAMILJARËT E TË VRARËVE NË RASTIN “MONSTRA”: DËGJIMI I DËSHMITARIT “E1” VETËM PO SHTYHET
Kjo bëri që familjarët e të vrarëve të akuzojnë se “gjykata është nën presion të disa qendrave të fuqisë politike dhe se e njëjta është futur në lojë”, për këtë arsye bëhen anulimet e shpeshta të dëgjimit të dëshmitarit të mbrojtur.
“Nuk mund dhe nuk duam të komentojmë, sëmundja është sëmundje, mirëpo një gjë dua të them anulimi i sotëm është një goditje e madhe për prindërit dhe opinionit në vend, duke marrë parasysh se edhe gjykimi i kaluar u anulua. Ishim të gjithë të përgatitur për gjykim, por ja u anulua. Vlerësoj se ky rast nuk është lojë dhe mendoj se nuk është në rregull të anulohen 5 minuta para mbajtjes, gjykimet e rëndësishme të cilat priten në opinion me padurim. Shpresoj se kjo nuk do të përsëritet më”,- tha avokati i familjes së viktimave, Dafinka Ivanovska.
“Gjërat po ripërsëriten si në gjykimin e parë të këtij rasti ashtu edhe tek gjykimin e dytë. Edhe në të kaluarën patëm një rast kur u anulua gjykimi për shkak të sëmundjes së një gjykatësi”,- theksoi prindi i njërit prej viktimave, Dragi Triçkovski.
Dëgjimi i dëshmitarit të fshehtë “E1” në seancën e kaluar u anulua për shkak të mossigurimit të kushteve specifike për dëshminë e tij nga ana e gjykatës. Tashmë pritet që ai të dëshmojë në seancat e radhës të caktuara për më 22, 24 dhe 31 gusht. Dëgjimi i dëshmitarit të fshehtë është propozim i Prokurorisë Themelore Publike. Dëshmia e personit me emrin e koduar “E1” ishte dëshmia kryesore në bazë të së cilës në gjykimin e parë të rastit “Monstra” gjashtë shqiptarë u dënuan në burg të përjetshëm. (Rexhep Qamili, TVM2)
