Maqedoni

Dislokimi i stacionit të taksistëve, protestojnë taksistët, stacioni i ri nuk u konvenon. Autoritetet nuk lëshojnë pe, Qyteti i Shkupit: stacioni i vjetër, i jashtëligjshëm

11.07.2018 16:26

Taksistët bllokuan udhëkryqin tek qendra tregtare “Mavrovasja” në Shkup, në shenjë proteste kundër vendimit të qytetit të Shkupit...

Taksistët bllokuan udhëkryqin tek qendra tregtare “Mavrovasja” në Shkup, në shenjë proteste kundër vendimit të qytetit të Shkupit, që stacioni i tyre i deritanishëm në hyrje të Çarshisë së Vjetër, të dislokohet në krah të rrugës në Bit Pazar.
 
Taksistët ankohen se edhe pse vendqëndrimi i ri është vetëm pak metra më larg, ai është i papërshtatshëm për ta, pasi turistët e huaj që deri tani gjenin taksi sapo dilnin nga Çarshia, e që janë klientët më të shpeshtë për këta taksistë, nuk do të mund të shohin makinat në lokacionin e ri, sepse pamjen ua pengon edhe mbikalimi, por edhe shitoret në trotuarin para tyre.
 
Ata kërkojnë që së paku tre vetura të mund të parkohen në lokacionin e vjetër.  
 
“Nuk na konvenon aspak, sepse nuk ka lëvizje të njerëzve. Jemi të bllokuar prej urës dhe prej shitores dhe nuk na sheh asnjë njeri atje prapa. Kërkesa jonë është po e mbajmë ne atë vendparkimin, por vetëm tre vetura të na lejohet t’i parkojmë te Zegini”,- tha një protestues. 
 
“Harxhimet që i kemi, nuk mund t’i mbulojmë me këtë stacionin e ri. Pazari është “Muri i Berlinit” për ne, se nuk na sheh askush”,- u shpreh një protestues. 
 
“Përpara kishte kohë kryetari i qytetit të Shkupit me i ec të gjithë, ndërsa tash nuk ka kohë, të vijë ne të pyesë thotë çfarë keni, çfarë problemi keni?”,- theksoi një qytetar. 
 
Por, nga Qyteti i Shkupit thonë se deri tani këta taksistë janë parkuar në mënyrë të jashtëligjshme. Me rregullimin e hapësirës së parkingut të taksistëve në Bit Pazar, Qyteti i Shkupit e ka rregulluar problemin shumëvjeçar të tyre. 
 
“Vendi ku taksistët janë parkuar deri më tani ka qenë vend i jashtëligjshëm dhe ata gjithnjë janë parkuar me frikën se mund të ndëshkohen. Apelojmë te të gjithë taksistët që të shfrytëzojnë hapësirën e cila është rregulluar për këtë qëllim, pasi që çdo hap që është marrë në lidhje me aksionet në Bit Pazar, është hap për të cilin paraprakisht jemi konsultuar me njerëzit që jetojnë, punojnë ose shfrytëzojnë atë hapësirë dhe ndryshim ose lëshim në këtë drejtim nga ana e Qytetit të Shkupit nuk do të ketë”,- thuhet në reagimin e Qytetit të Shkupit. Por, taksistët thonë se protestat e tyre nuk do të ndalen deri në aprovimin e kërkesave të tyre.
 
ERSAN PAJAZITI