Maqedoni

Vrasja e Sazdovskit, të dyshuarit në pyetje para prokurorisë. VMRO-DPMNE: Spasovski të japë dorëheqje. BDI: humbja e jetës e pafalshme, dënojmë dhunën

11.07.2018 17:11

Dy sulmuesit e të ndjerit, Nikolla Sazdovski, sot për herë të parë janë marrë në pyetje në prokurori. 20 vjeçari me inicialet B. B. dhe 21 vjeçari S. D. u sollën nga burgu i Shutkës...

Dy sulmuesit e të ndjerit, Nikolla Sazdovski, sot për herë të parë janë marrë në pyetje në prokurori. 20 vjeçari me inicialet B. B. dhe 21 vjeçari S. D. u sollën nga burgu i Shutkës, ku po mbahen në paraburgim.
 
Ata u njohën nga prokuroria me dëshmitë në një moment kur akoma nuk ka përfunduar obduksioni. VMRO-DPMNE ndërkohë vazhdon të akuzojë  qeverinë se e ka çuar Maqedoninë të prekë fundin sikurse në planin ekonomik e politik, ashtu edhe të sigurisë pas vrasjes së 21 vjeçarit, Nikolla Sazdovski.
 
Sipas opozitës, tanimë tre ditë ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, hesht për detajet e vrasjes, andaj ata kërkuan dorëheqjen e tij.
 
“Kush është personi i tretë i përfshirë në vrasje dhe pse deri më tani nuk është arrestuar? Mos vallë pushteti e fsheh atë, apo po kërkojnë ndonjë kanal për ikjen e tij nga shteti? A është kjo arsyeja se pse deri më tani nuk është shpallur arrest ndërkombëtar dhe nuk publikohet fotografia e tij që të mund qytetarët ta paraqesin nëse e shohin? A po krijohet skenar i njëjtë i ikjes sikurse te vrasësit të futbollistit Martin Janushev, i cili u vra para shtëpisë së tij? Opinioni pret përgjigje dhe përgjegjësi për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast, ndërkaq ministri Spasovski menjëherë të japë dorëheqje”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
 
BDI ndërkohë u apelon të gjithëve të përmbahen nga provokimet, veçanërisht nga porositë e urrejtjes dhe mosdurimit, të cilat, sipas tyre, përbëjnë bazën për ngjarje të dhunshme dhe të pakëndshme.
 
Në apelin e saj, BDI thotë se humbja e një jete të re dhe të pafajshme, veçanërisht në një mënyrë të dhunshme, paraqet një akt që gjithnjë dhe nga gjithkush meriton dënimin e plotë. 
 
“Dhuna është një akt që nuk duhet të ketë asnjë justifikim dhe në këtë kontekst ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për autoritetet e sigurisë dhe zbatimin e ligjit për ndriçimin e plotë të rastit dhe pa asnjë vonesë të nxirren fajtorët para drejtësisë”,- thuhet në njoftimin e BDI-së, e cila i shpreh ngushëllimet më të sinqerta  prindërve dhe familjarëve të  Nikolla Sazdovskit, i cili ndërroi jetë pas një sulmi fizik nga tre persona.
 
MERAL ISMAILI