Maqedoni

Vazhdojnë seancat gjyqësore për “Trajektoren”, “Trust” dhe “Tarifa”

12.07.2018 12:13

Në Gjykatën Penale sot në Shkup do të vazhdojë gjykimi për lëndët e PPS-së “Trajektorja”, “Trust” dhe “Tarifa”....

Në lëndën “Trajektorja” të dyshuar janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, dhe ish-drejtori i Agjencisë për rrugë shtetërore, Ljupço Georgievski. Në seancën paraprake për këtë lëndë u dëgjuan 30 “bomba” nga bisedimet e marrëveshjes se si do të kryen procedurat ligjore me kompanitë kineze rreth ndërtimit të autostradës Miladinovci - Shtip dhe Kërçovë – Ohër në periudhën e vitit 2013. Për rastin në fjalë duhet të dëgjohen 315 “bomba” në total. 
 
Seanca gjyqësore do të vazhdojë edhe për rastin “Trust”, ku i akuzuar kryesor është afaristi, Sead Koçan, si edhe dy persona fizikë dhe tre juridikë, në mesin e të cilëve edhe drejtuesit e kompanive “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato”, për pjesëmarrjen në një tender të “Elektranave të Maqedonisë”. Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tenderë në ELEM në vlerë prej 17 milionë euro. 
 
Në bankën e të akuzuarve sot duhet të ulen edhe ish-drejtori i përgjithshëm i SHA “ELEM”, Dejan Boshkovski, si edhe dy persona të tjerë, të cilët akuzohen për rastin “Tarifa”. Bëhet fjalë për akuzë për furnizimin e paligjshëm të sistemit softuerik për nevojat e kompanisë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” në vlerë prej rreth katër milionë euro.