Maqedoni
“Vera e Ohrit”, ngre siparin edicioni i 58 i festivalit ndërkombëtar
12.07.2018 12:48
Prej sonte e deri më 20 gusht, Ohri do të jetë nikoqir i mbi 800 artistëve nga 28 vende të botës...

Prej sonte e deri më 20 gusht, Ohri do të jetë nikoqir i mbi 800 artistëve nga 28 vende të botës dhe i turistëve të shumtë që duan të shijojnë një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të verës në Maqedoni.
Sonte në qytetin buzë liqenit, ngrihet sipari i edicionit të 58 të festivalit ndërkombëtar “Vera e Ohrit”. Shfaqe muzikore dhe teatrore do të defilojnë në skenat e festivalit, ku do të interpretojnë emra të njohur nga bota e muzikës, por edhe produksionet më të mira teatrore. Janë paraparë edhe tre ekspozita figurative, ekspozitë e fotografive dhe stolive bashkëkohore.
Në hapjen solemne të festivalit, në skenën e teatrit antik do të ngjiten sopranoja e njohur botërore, Elena Moshuc, dhe tenori, Kalin Bratesku, në dirigjimin e Nikollae Moldoveanu, të shoqëruar nga Filarmonia e Maqedonisë. Festivali “Vera e Ohrit” mbahet me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, i ndihmuar nga komuna e Ohrit, nga më shumë ambasada në vend si dhe nga sponsorë të tjerë.
