Maqedoni

Gjyshi i Tamarës, shtatë vite e gjysmë burg për tentim-vrasje

12.07.2018 16:15

Gjyshi i Tamarës së vogël, Lupço Stojanovski, është dënuar me shtatë vjet e gjysmë burg për tentim-vrasje ndaj ish ministrit të shëndetësisë, Nikolla Todorov....

Gjykatësja, Sofija Llalliçiq, e shqiptoi dënimin me burg pasi gjyshi i Tamarës, pas vdekjes së mbesës së tij, ka tentuar të vrasë ish ministrin e shëndetësisë, me arsyetimin se nuk i kishte miratuar mjekimin jashtë vendit. Gjykatësja tha se: “ky vendim do të shërbejë si shembull për të gjithë ata që tentojnë ta marrin drejtësinë në duart e veta, pasi që sado që është dhimbja e familjarit, nuk arsyetohet që dikush të marrë vetë drejtësinë në duart e tij”. 
 
Nga ana tjetër, avokatja mbrojtëse e Lupço Stojanovskit ka kundërshtuar vendimin dhe ka bërë të ditur se do ta ankimojë të njëjtin.
 
“Nuk kemi pritur sinqerisht vendim të tillë, sepse nuk ka argumente të mjaftueshme që i akuzuari, Lupço Stojanovski, ka dashur ta vrasë Todorovin, në asnjë rast nuk vërtetohet qëllimi i tij, vetëm që ka qenë në rrugën përpara Ministrisë së Shëndetësisë, që ka mbajtur armë, me çka ka qenë i acaruar, por nuk thuhet si ka reaguar dhe kjo nuk e bën atë vrasës”,- deklaroi avokatja mbrojt;se e Lupço Stojanovskit.
 
Paraprakisht, Stojanovski është dënuar me burg me kusht për armëmbajtje pa leje. Stojanovski ka pranuar fajin e tij për gjuajtjen me armë në drejtim të Nikolla Todorovit, të cilin e akuzoi për vdekjen e mbesës së tij.
 
Vogëlushja nëntëvjeçare, Tamara, e cila vuante nga skolioza, vdiq më 9 shkurt 2015, pasi disa herë mori përgjigje negative për kurim jashtë shtetit.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU