Partitë politike: Ende nuk ka marrëveshje për KShZ-në

12.07.2018 17:40

Partitë politike në vend ende nuk i kanë harmonizuar qëndrimet rreth konsolidimit të përbërjes së re të KShZ-së....

Partitë politike në vend ende nuk i kanë harmonizuar qëndrimet rreth konsolidimit të përbërjes së re të KShZ-së, e cila do të duhet të organizojë në shtator ose në fillim të tetorit referendumin për çështjen e emrit.

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska, paralajmëron se nëse vazhdon kjo situatë, mund të vihet në rrezik realizimi i referendumit. Ajo apelon që zgjedhja e përbërjes të mos kushtëzohet me amnisti apo ligje tjera, siç është ai për financimin e partive politike.

“Janë të nevojshme institucione të cilat do të mund të funksiononin pas paralajmërimit të referendumit dhe çdo vonesë në formimin e KShZ-së mund të kuptohet si përgatitje e pamjaftueshme e anëtarëve të porsazgjedhur për të zbatuar aktivitetet e nevojshme”,- deklaroi ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.

Partitë në pushtet, LSDM dhe BDI, thonë se nuk pranojnë kushtëzime për zgjedhjen e anëtarëve të KShZ-së. 

“KShZ nuk duhet të jetë peng e llogarive tjera të partive politike për politika ditore, por duhet të zgjidhet sa më parë që është e mundur që ta realizojë me sukses referendumin edhe hapat e tjera që nënkuptojnë marrëveshjen me Greqinë, që përfshin edhe ndryshimet kushtetuese dhe shpalljen e Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë në Gazetën Zyrtare”,- tha Artan Grubi nga BDI.                               

“Në këtë shtet, në mënyrë të qartë duhet të jetë e transmetuar mesazhi nga shumica parlamentare, se krimi nuk do të amnistohet dhe se vendosja e kushtëzimeve për të arritur këtë qëllim nuk do të ekzistojë e që më tepër nuk do të tolerohet. Përmes sjelljes transparente dhe duke demonstruar inkluzion faktik, po tentojmë të zgjidhim dhe arrijmë marrëveshje për çështje të hapura, megjithatë ka çështje përmes të cilave nuk mund të tejkalohen. Amnisti nuk do të ketë”,- u shpreh Hari Llokvanec nga LSDM.                                                                                                     

Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk tregojnë a ka gjasa që së shpejti të gjejnë gjuhë të përbashkët me LSDM-në, por kushtëzojnë me qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve dhe miratimin e Ligjit për financimin e partive, e më pas formimi i  KShZ-së.                                                 

“Detyrimet që i ka marrë LSDM deri tani nuk janë realizuar, për dallim nga  VMRO-DPMNE që i ka kryer të gjitha detyrimet që i patëm marrë për reformat integruese të vendit. Opinioni e din se cilat detyrime i ka LSDM ndaj ne, e ato janë Ligji për financimin e partive dhe Kodi Zgjedhor, i cili parashihet qeveri teknike tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta ose të parakohshme parlamentare”,- theksoi Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.

Me konsolidimin e KShZ-së hapet rruga për fillimin e të gjitha proceseve tjera për realizimin e referendumit, i cili i njëjti duhet shpallur 60 ditë para mbajtjes së tij. Seanca e rregullt kuvendore është e caktuar për më 17 korrik, por në të nuk është vendosur në rend dite emërimi i anëtarëve të rinj të KShZ-së, pasi partitë ende nuk janë dakorduar. (Rexhep Qamili, TVM2)