Ftesa për në NATO, Mickovski fton qytetarët në protesta
Ftesa për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, nuk u prit njësoj nga partitë politike në vend....

Ftesa për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, nuk u prit njësoj nga partitë politike në vend. Partitë politike maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, janë me qëndrime të kundërta.
VMRO – DPMNE nuk pranon ftesën për në NATO. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, nëpërmjet një video xhirimi ka ftuar qytetarët në protesta të dielën në Kavadar për paaftësinë e pushtetit në menaxhimin e politikave të jashtme.
“Nuk ka as datë për bisedime me BE-në, e as ftesë të pakushtëzuar për në NATO. Nuk ka për arsye se kemi qeveri të paaftë. Disfatat duhet të marrin fund dhe përgjigja për këtë është secili prej jush. VMRO-DPMNE do të vazhdojë me të gjitha forcat kundër kësaj së keqeje që po jeton çdo qytetar, andaj edhe do të vazhdojmë të protestojmë”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
ZAEV: TË SHTUNËN TË FESTOJMË SUKSESIN HISTORIK
Nga LSDM ftesën e cilësojnë si sukses historik. Kryeministri, Zoran Zaev, nga Brukseli ka deklaruar se Maqedonia do të bëhet aleate e më të fuqishmëve në botë, duke ftuar qytetarët për të festuar të shtunën.
“Të vazhdojmë të hapërojmë me vendimin e madh të radhës, kur sërish do t’i themi po të ardhmes sonë, ardhmërisë së Maqedonisë. Të nderuar qytetarë, ju ftoj të shtunën, më 14 korrik, të festojmë së bashku nëpër qytetet e Maqedonisë. Qeveria po përgatit festime në 15 qytete ku me muzikë të vendit do të urojmë, pasi që shkojmë para, pasi që Maqedonia hyn në NATO dhe hapëron drejt BE-së”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
AHMETI: BASHKË TË PËRMBYLLIM PROCESIN
Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar qytetarët e Maqedonisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke i ftuar që bashkërisht të rrumbullakojnë këtë proces.
“Integrimi i plotë i vendit tonë në NATO mundëson siguri, stabilitet, marrëdhënie të mira ndëretnike, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore. Kjo ëndërr e qytetarëve tanë, që ka filluar të realizohet sot, kërkon nga ne që të bashkohemi rreth Maqedonisë euroatlantike”,- është shprehur Ahmeti.
PDSH: S’KA ALTERNATIVË TJETËR POS NATO-S
Vendimi i NATO-s u përshëndet edhe nga PDSh.
“Implementimi i marrëveshjes për emrin me Greqinë vazhdon të ngel kusht për anëtarësim të vendit në NATO dhe PDSh do të angazhohet maksimalisht në mënyrë që ky proces të përfundojë me sukses. Anëtarësimi në NATO nuk ka alternativë tjetër”,- thuhet në kumtesën e PDSh-së.
Ftesa për anëtarësimin e vendit në NATO është mirëpritur edhe nga Lëvizja Besa e Afrim Gashit dhe Besa e Bilall Kasamit, si dhe nga Aleanca për Shqiptarët.
Deri në anëtarësimin e plotë në NATO, Maqedonisë i mbetet të realizojë marrëveshjen me Greqinë, nëpërmjet referendumit të suksesshëm dhe ndryshimeve kushtetuese. (Meral Ismaili, TVM2)
