Xhaferi nga Varshava: kemi përgjegjësi të zhvillojmë diplomaci parlamentare
13.07.2018 10:21
Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, i cili merr pjesë në Samitin e tretë të kryeparlamentarëve në Poloni....

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, i cili merr pjesë në Samitin e tretë të kryeparlamentarëve në Poloni, ka deklaruar se përmes diplomacisë parlamentare forcohet dhe zhvillohet demokracia në vend, në rajon dhe në nivel global.
“Obligimi ynë është që të vazhdojmë të zhvillojmë dhe të çmojmë diplomacinë parlamentare, t’i zgjedhim të gjitha sfidat që i sjell globalizimi, pa dallim se a bëhet fjalë për çështje të ekologjisë, krizës së emigrantëve, krimit të organizuar dhe terrorizmit, deri te projektet infrastrukturore të përbashkëta në ekonomi”,- ka deklaruar Xhaferi.
Përparimi më i madh, sipas Xhaferit, është arritur në rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj ekzekutivit dhe roli më i shprehur i parlamenteve në marrëdhëniet ndërkombëtare, në nivelin bilateral dhe multirateral.
“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot ka marrëdhënie të mira me kuvendet e Shqipërisë, Kosovës, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Serbisë, dhe ajo çka është më kryesorja, është se bashkërisht Parlamentet kanë luajtur rol në tejkalimin e çështjeve historike”,- ka theksuar Xhaferi në samitin e kryeparlamentarëve që po mbahet në Poloni.
Sipas tij, përvojat e Maqedonisë treguan se si në fillim Kuvendi më shumë i përngjante një makinerie votuese që thjesht ngrinte dorën për propozimet e ligjeve të Qeverisë, ndërsa sot në të bëhen debate të argumentuara.
