Ademi: Diaspora, rol të rëndësishëm në marrjen e ftesës
13.07.2018 11:06
Ministri për Diasporën, Edmond Ademi, ka paralajmëruar se së shpejti përfundimisht do të zgjidhet çështja e votimit të diasporës....

Këtë, sipas Ademit, do ta mundësojë strategjia kombëtare për bashkëpunim me diasporën 2018-2023, e cila është në përfundim e sipër dhe pritet të sillet deri në fund të verës. Ai është dokumenti i parë strategjik prej 4 shtyllave, që një Qeveri në këto 27 vite e punon në pjesën e diasporës, ka potencuar ministri Ademi.
Ademi thekson se Maqedonia është një nga vendet e rralla të rajonit, ndoshta dhe e vetmja, e cila nuk ka ligj për diasporën. Ai ka uruar edhe diasporën për rolin e saj në marrjen e ftesës për në NATO.
“Të sigurtë në të ardhmen tonë në NATO dhe BE, tregojmë qartë angazhimin për zbatimin e reformave të thella brenda vendit dhe një politike të jashtme të përgjegjshme. Padyshim, kjo është një arritje e të gjithë qytetarëve të vendit dhe ju që jetoni në diasporë. Shumë prej jush kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces historik të suksesshëm, duke krijuar ura bashkëpunim me të gjitha vendet mike të Republikës së Maqedonisë”,- deklaroi ministri Ademi, duke ftuar diasporën të marrë pjesë në festimet që të shtunën do të mbahen në të gjitha qytetet në Maqedoni për të festuar këtë ditë historike për Maqedoninë.
