Ekonomi

“Zhvillimi ekonomik”, 10.5 mln euro grande. Ndahen 80 grandet e para, 80 kompani të tjera në pritje

13.07.2018 16:59

Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik ndau 80 grandet e para për kompani mikro....

Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik ndau 80 grandet e para për kompani mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat kapin vlerën e 10,5 milionë euro, në kuadër të thirrjes së parë të Qeverisë nga programi “Zhvillimi ekonomik”.        
 
Në këtë konkurs aplikuan 236 kompani, nga të cilat 80 fituan grande, ndërsa 80 kompani të tjera presin që të financohen nga mjetet shtesë të cilat do të ndahen nga Qeveria.
 
Për ekzekutivin, fakti që kompanitë kanë filluar të investojnë pas krizës politike, është shenjë e mirë. Nga FIZHT përkujtojnë se në çdo  1,4 denarë investime nga shteti, kompania do të japë nga një denarë nga buxheti i saj. Ekzekutivi është i befasuar me numrin e projekteve cilësore dhe premton vazhdimin e ndihmave ndaj këtyre ndërmarrjeve.
 
“Kjo është 10 herë më shumë sesa shuma e deritanishme që shteti ka ndarë në fushën e zhvillimit teknologjik. Dhe këto mjete kanë qenë të dedikuara të ndahen në tre thirrje, por sot jam shumë i kënaqur që kemi kaq shumë projekte inovative, saqë mund të them se këto mjete edhe nuk po na mjaftojnë. Ka edhe 80 ndërmarrje të tjera të cilat presin të marrin të hollat, pasi projektet u kanë kaluar, thjeshtë jemi të befasuar nga gjithë këto projekte që kemi marrë”,- tha drejtori i Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik, Jovan Despotovski.
 
“Kjo paraqet një motiv shtesë për ne, që edhe më tutje të vazhdojmë përkushtimin tonë drejt këtyre ndërmarrjeve”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Nga kompanitë u shprehën të kënaqur nga këto grande dhe pohuan se tanimë pas 20 vitesh në biznesin privat, erdhi koha që shteti t’ua shpaguaj mundin e dhënë brenda viteve. 
 
Nga 80 kompanitë të cilat kanë fituar grandet, 60% janë kompani nga Shkupi, ndërsa 40 për qind nga qytetet e tjera. Në këto projekte do të angazhohen 460 persona, 85 do të jenë punësime të reja. Paga mesatare e këtyre personave arrin deri në 48,000 denarë.
 
FITIM KRYEZIU