Maqedoni
Pastrohet oborri në Q. K. “Nënë Tereza”, kërkohet zgjidhje afatgjate e problemit
13.07.2018 17:20
U gjet zgjidhja momentale për pastrimin e oborrit të Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup....

U gjet zgjidhja momentale për pastrimin e oborrit të Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, e cila ishte mbushur me grumbuj plehrash javët e fundit. Problemi nisi që kur ingerencat për pastrimin e klinikës i kaluan Ministrisë së Shëndetësisë e cila nuk angazhoi firmë private pastrimi duke kërkuar pastrimin ta bëjë “Higjiena komunale”. Nga kjo e fundit përkujtojnë Ministrinë se pastrimi i oborrit nuk është në ingerencën e tyre.
Teksa Ministria dhe “Higjiena komunale” u përfshinë në një zënkë institucionale se detyra e kujt është të pastrojë, oborri mbushej me plehrat që rrezikonin jetën e pacientëve, stafit dhe vizitorëve. Një gjë tashmë është sqaruar. Pastrimi i oborrit të klinikës nuk është në ingerenca të ndërmarrjes, por ende nuk dihet nëse pas këtij problemi, “Higjiena komunale” do t’i marrë ingerencat për pastrimin e klinikës. Aksioni i sotëm ishte vetëm shenjë e vullnetit të mirë që nga mosmarrëveshjet e institucioneve të mos pësojnë pacientët.
“Jemi në bisedime. Por, për çdo gjë të papastër në qytet, gishti i fajit drejtohet nga “Higjiena komunale”. Mendoj që në një afat të shkurtër do të gjejmë një zgjidhje”,- tha drejtori i N. P. “Higjiena komunale”, Abdusamet Shabani.
Zëvendësministri i shëndetësisë, Asim Musa, nuk deshi të sqarojë nëse është paguar borxhi i mbetur ndaj “Higjienës komunale”, por sqaroi shkurt se problemi do të zgjidhet shumë shpejt.
“Ata treguan vullnet të mirë të, na ndihmojnë edhe përkundër vështirësive që i kanë si ndërmarrje. Shumë shpejt do ta zgjidhim problemin”,- u shpreh zëvendësministri i shëndetësisë, Asim Musa.
Por, pastrimi i Klinikës dhe të gjitha hapësirave të përbashkëta nuk duhet të jetë obligim vetëm i ndërmarrjeve të pastrimit komunal. Këtë mësim ua dhanë qytetarëve aktorët e teatrit të dramës, të cilët përkujtojnë se edhe qytetarët kanë përgjegjësi ndaj ambientit që vetë e ndotin. Megjithëse aktorët erdhën në klinikë sot, ata nuk pastruan, por vetëm inspektuan punën e punëtorëve të “Higjienës komunale”.
“Qëllimi i tërë kësaj iniciative është që ta nxitin ndërgjegjen te qytetarët e pandërgjegjshëm dhe përgjegjësinë e tyre ndaj mjedisit. Do të tentojmë të bëjmë revizion të asaj që e ka bërë “Higjiena komunale”,- theksoi aktorja në teatrin e dramës, Sanja Arsovska.
Oborri i klinikës më në fund u pastrua. Mbetet të shihet se sa shpejt do të gjejnë zgjidhje institucionet që të mos përsëriten më pamjet tronditëse të pisllëkut që pamë këto ditë.
GAZMEND KURTISHI
